8 euro taksë vajtje-ardhje në Rrugën Arbërit? Ministrja e Ramës vihet në siklet po nuk e mohon

Rruga e Arbërit pritet të hapët më 29 nëntor, datë kjo e bërë publike nga vetë kryeministri Rama.

Gjatë një diskutimi në Komisionin e Ligjeve, deputetja demokrate Dhurata Çupi iu drejtua me pyetje Ministres së Financave në lidhje me tarifën që pritet të ketë Rruga e Arbërit për të gjithë qytetarët.

Sipas Çupit ekzistojnë të dhëna të cilat thonë se tarifa për të lëvizur në këtë rrugë do të jetë 4 Euro dhe 8 Euro vajtje ardhje, Tiranë-Dibër.

Nga ana tjetër ministrja e Financave nuk e mohoi se do të ketë një taksë mbi këtë rrugë por nuk cilësoi shumën duke deklaruar se do të ketë një pagesë standard për koncesionarin.

Dhurata Çupi: Kryeministri deklaroi se “Rruga e Arbrit” inaugurohet brenda vitit 2021, por ka të dhëna se do të vendoset një tarifë 4 euro për 1 kalim për dibranët dhe qytetarët që do të kalojnë në “Rrugën e Arbrit”.

Qytetari do të paguajë 4 euro të vijë në Tiranë dhe 4 euro të shkojë në Dibër, ndërkohë që flasim për qarkun më të varfër të Shqipërisë. Është parashikuar në buxhetin 2022 kjo taksë që u vendoset dibranëve?

Delina Ibrahimaj: Për këtë kërkesë nuk ka asnjë parashikim buxhetor aktualisht. Ky është një koncesion PPP, kemi parashikuar pagesën e këtij koncesioni në bazë të dokumentacionit që kemi aktualisht në dispozicion dhe kontratës konçesionare.

Dhurata Çupi: Kontrata konçesionare parashikon tarifën 4 euro?

Delina Ibrahimaj: Unë e ktheva përgjigjen time. /albeu.com/