Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për shtetasin me inicialet V.K., i cili akuzohet se vrau me paramendim shtetasin B.S., në një ngjarje të ndodhur në zonën e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet.
Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 7911 të vitit 2022, organi i akuzës ka dalë në përfundimin se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, si pasojë e një konflikti që autori kishte pasur më herët me vëllain e viktimës, shtetasin R.S. Sipas hetimeve, V.K. dhe familjarët e tij kishin shprehur pretendime për plagosjen e një familjari të tyre në të kaluarën.
Të lidhura
None found
V.K. përballet me akuzat e “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga nenet 78/2 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë pas krimit, duke hyrë dhe dalë nga Shqipëria përmes Malit të Zi, ndërsa automjetin që përdori në ngjarje e kishte blerë pa kaluar në procedurat noteriale.
Brenda të njëjtit hetim, organi i akuzës ka kërkuar gjithashtu dënimin e katër personave të tjerë, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në fshehjen e krimit dhe i kanë dhënë mbështetje autorit.
Për shtetasit Gj.K. dhe K.A. janë kërkuar përkatësisht 3 dhe 2 vite burg për veprën penale “Moskallëzim krimi”, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Hetimet kanë treguar se këta dy shtetas e dinin identitetin e personit të cilit i shitën automjetin e përdorur në vrasje, por nuk e kallëzuan atë, pasi shitja ishte kryer pa kontratë.
Ndërkaq, për shtetasin E.H. Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg për akuzën “Përkrahja e autorit të krimit”, e parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Nga hetimet rezultoi se ai e priti V.K. në Mal të Zi, organizoi largimin e tij nga ai shtet, si dhe siguroi hotelin dhe qëndrimin e tij.
Për shtetasin Z.K. është kërkuar dënimi me 2 vite burg për “Veprime që pengojnë drejtësinë”, sipas nenit 301 të Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, ai fshiu pamjet e kamerave të sigurisë në vendet ku i pandehuri V.K. kishte drekuar dhe kishte blerë mjetin e përdorur në krim.
Tani pritet që gjykata të shqyrtojë kërkesat e Prokurorisë dhe të marrë një vendim përfundimtar për të pandehurit.








