Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fondin total prej 345.6 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2026.
Shuma ndahet sipas formulës ligjore, duke kombinuar përfaqësimin parlamentar, votat e marra në zgjedhje dhe një pjesë të barabartë bazë për çdo subjekt.
Sipas tabelës së shpërndarjes të siguruar nga Ora News, Partia Socialiste përfiton shumën më të madhe me 166,067,986 lekë, e ndjekur nga Partia Demokratike me 81,187,402 lekë.
Diferenca reflekton peshën elektorale dhe përfaqësimin e secilës forcë politike, ku 70% e fondit lidhet me rezultatet zgjedhore, 20% shpërndahet sipas kritereve shtesë ligjore, ndërsa 10% ndahet në mënyrë të barabartë.
Partitë më të vogla përfitojnë shuma dukshëm më të ulëta, kryesisht nga komponenti bazë i financimit.
Shumica e tyre marrin rreth 5.8 milionë lekë, ndërsa disa subjekte me përfaqësim apo mbështetje më të madhe elektorale arrijnë mbi 8–10 milionë lekë.
Ndërkohë, subjektet pa përfaqësim të gjerë parlamentar përfitojnë vetëm pjesën fikse.
Kështu, nga rreth 10 milionë lekë përfitojnë Partia e Lirisë dhe Partia Socialdemokrate, ndërsa rreth 8 milionë lekë përfiton Mundësia, 7 milionë lekë Shqipëria Bëhet dhe 6 milionë lekë Lëvizja Bashkë.
Nga rreth 5 milionë lekë përfitojnë PDIU, PBDNJ, PR, PAA, PDK, FRD dhe PBKD, ndërsa nga rreth 4 milionë lekë përfitojnë Nisma Thurje dhe Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës.
