30-vjeçari me pistoletë lodër grabit Kredo.al në Korçë, sa para mori

Një tjetër degë e Kredo.al është grabitur në vend. Këtë herë në Korçë. Një 30-vjeçar, me një armë lodër në dorë, ka hyrë brenda zyrës së dhënies së kredive, ka kërcënuar punonjësin dhe ka marrë 5000 lekë. Më pas është arratisur, por është kapur nga policia.

Gjatë kontrollit fizik të autorit, policia i gjeti një pistoletë lodër dhe shumën prej 5000 lekë të vjedhura. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se disa ditë më parë është vjedhur dhe Kredo.al në Dibër dhe po ashtu një pikë në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Policia identifikon, lokalizon dhe arreston brenda pak minutash autorin e vjedhjes në një zyrë për dhënie kredie, nën kërcënimin e një pistolete lodër.

Sekuestrohet pistoleta lodër dhe sasia e parave të vjedhura.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, rreth orës 15:45, pas marrjes së informacionit se në lagjen nr. 7, Korçë, në një zyrë e cila shërben për dhënie kredie, kishte hyrë një shtetas i paidentifikuar, i cili duke kërcënuar me një mjet në dukje si pistoletë, kishte marrë një vlerë monetare dhe më pas ishte larguar me shpejtësi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.

Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe informacioneve të marra u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit B. A., 30 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq.

Gjithashtu shërbimet e policisë, gjatë kontrollit fizik të autorit, i gjetën një pistoletë lodër dhe shumën prej 5000 lekë të vjedhura.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 29.12.2021 17:07