17 mijë punëtorë janë larguar nga puna! Buxheti i Maqedonisë 23 milionë euro më “i varfër”

Buxheti i Maqedonisë së Veriut ka mbetur më “i varfër” për rreth 23 milionë euro, si rezultat i masave për mbështetje financiare të kompanive gjatë krizës me Covid-19. Këtë e tregoi raporti i fundit i Entit për Revizion, në të cilin thuhet se kompanitë kanë kthyer vetëm 29% të parave që i kanë marrë si subvencione gjatë krizës. Revizorët kanë konstatuar se mangësi në të gjithë këtë situatë është se nuk ishte paraparë mënyra e kontrollit dhe kthimit të mjeteve të ndara financiare.

“Punëdhënësit dhe personat fizikë shfrytëzues të masave për subvencionimin e kontributeve dhe pagesën e rrogave, kanë kthyer më pak mjete në Buxhetin në vlerë prej 988.307.000 denarëve. Në mënyrë shtesë, ekziston rrezik që subjektet juridike që nuk i kanë përmbushur kushtet, mos t’i kthejnë mjetet në vlerë prej 448.698.000 denarëve. Gjendjet e përmendura shkaktojnë të ardhura të reduktuara buxhetore në vlerë të përgjithshme rreth 23 milionë euro“, thonë nga Enti Shtetëror për Revizion.

Pavarësisht se Qeveria kompanive u jepte ndihmë financiare me qëllim që mos t’i largojnë punëtorët, megjithatë revizioni ka treguar se shumë të punësuar kanë humbur vendet e tyre të punës.

“Kriza e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit Covid-19 shkaktoi humbje të vendeve të punës dhe humbje të mëdha të të ardhurave të punëtorëve, gjë që ndikon në uljen e konsumit të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia e Punësimit, nga fillimi i pandemisë deri në fund të vitit 2020, gjithsej 17.022 punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës”, theksojnë Enti Shtetëror për Revizion.

Kjo nuk është e gjitha. Një pjesë e caktuar punëdhënësish gjatë krizës në pandemi nuk ua kanë paguar rrogat të punësuarve të tyre, edhe pse kanë marrë ndihmë financiare për këtë. Nga Enti thonë se e gjithë kjo është për shkak se Qeveria nuk ka bërë analiza për efektet e masave. Ndryshe, revizioni ka përfshirë 6 pakot e masave ekonomike që Qeveria i miratoi në periudhën nga marsi i vitit 2020 deri më 1 prill të këtij viti.\TV21