Apeli ka lënë në fuqi vendimin e GJKOO për dënimin me 8 vite e 8 muaj burg per Gentian Malindin.
Malindi akuzohet për drogën e mbërritur në Portin e Durrësit nga Porti i Pierut, përmes konteinerëve të ‘Alba Exotic Fruit’.
Kush është Gentian Malindi
Gentian Malindi ishte shpallur në kërkim për trafik kokaine që në vitin 2019.
Më 28 shtator 2019 një operacion ndërkombëtar droge, i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe policisë greke nën bashkëpunimin e DEA-s amerikane, çoi në sekuestrimin e 137 kg kokainë.
Lënda narkotike me origjine nga Ekuadori u prit në Portin e Durrësit nga tre persona, prej të cilëve 2 u vunë në pranga dhe një tjetër u shpall në kërkim.
Në sajë të operacionit të koduar “Kuito”, në pranga përfunduan Ardian Begam, 53 vjeç dhe Altin Mislihaka, 35 vjeç nga Durrësi, njëri punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit dhe tjetri mirëmbajtës i një anije peshkimi. Ndërkohë që u shpall në kërkim Gentian Malindi, 43 vjeç, i cili priti dy të arrestuarit jashtë portit, me një automjet me targa të huaja.
Drogën nga kontenieri e mori Ardian Bega, i cili u pikas edhe nga kamerat e sigurisë me një çantë sportive në krahë, ku besonte se aty kishte drogën e porositur në Ekuador, për llogari të Gentian Malindit.
Në fakt, policia greke e kishte zëvendësuar drogën me pako me oriz dhe brenda tyre kishte futur një gjurmues GPS.
53-vjeçari Bega dhe Altin Myslimhaka, 37 vjeç, kishin për detyrë të nxirrnin drogën nga kontenierët e Portit të Durrësit. Ata e kanë marrë ngarkesën dhe e kanë futur në një makinë, në të cilën gjendej edhe pritësi i saj, Gentian Malindi.
Por në rrugën dytësore Plepa-Golem, ata kanë kuptuar që pakot e drogës ishin zëvendësuar me oriz dhe i kanë hedhur. Policia, që po i mbante nën vëzhgim ka ndërhyrë për t’i ndaluar, por Malindi ka mundur të largohet. Ai është një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2013 u kap me një sasi prej 500 kg hashash./