Tetëmbëdhjetë vjet burg për Elvis Demçen dhe 16 për rivalin e tij Ermal Arapaj, i cili njihet si ‘Ufo’. Në total, 120 vite burg për dy bandat që nisën luftën brenda mafias shqiptare në Romë. Shumica e kërkesave të prokurorëve Mario Palazzi dhe Francesco Cascini janë pranuar.
12 persona të tjerë të grupit u dënuan me dënime që varionin nga minimumi 4 vjet e 6 muaj deri në maksimum 9 vjet e 8 muaj, raporton ‘Romacorriere.it’.
Grupet kriminale që drejtoheshin njëri nga Ermal Arapaj i njohur si ‘Ufo’, ndërsa nga ana tjetër ishte Elvis Demçe, i cili drejtonte grupin rival, janë arrestuar nga policia pas një aksioni ‘Blic’, të zhvilluar mëngjesin e 18 janarit. Në pranga ranë 27 persona, duke u shmangur në këtë mënyrë disa vrasje të mundshme, për trafikun e drogës.
Banda e shqiptarit Elvis Demçe lindi në vitin 2020 dhe pati një rritje të shpejtë. Në gusht 2020 tregtonte 100 kg hashash ndërsa tetorin e ardhshëm ishte në gjendje të tregtonte mbi 1 ton që i sillnin të ardhura deri në 4 milionë euro.
Mediat italiane i kanë dedikuar shpesh artikuj Elvis Demçes, i cili bashkëpunonte me Arben Zogun dhe Dorian Petokun, të cilët po ashtu ndodhen pas hekurave. Demce, kur doli nga burgu në vitin 2020 kishte kontaktet e duhura, ato me organizatat në Romë, me ushtrinë marokene, autoritetet portuale të Gioia Tauro dhe trafikantë nga Ekuadori.
Demçe i cili ka një pamje të ashpër, i referohej vetes si “Zoti”. Me një bindje të rrënjosur thellë thoshte: “Unë jam Zoti”. Ai e shkruante në rrjetet sociale, duke përdorur pseudonimet e tij, “Spartacus” ose “Perseo”, të cilave u lidh një kuptim i fortë simbolik. Në mungesë të tij, sheshet e trafikut të drogës u morën nga Ermal Arapaj, shqiptar si ai dhe drejtues i një organizate tjetër shumë ‘të respektuar’. Kur Demce ishte në burg për vrasjen e Federico Di Meo, 30 vjeçar, ‘Ufo’ tentoi t’i fitonte terren duke vjedhur sheshet e drogës, Velletri dhe Acilia. Kjo solli përplasje mes bandave, të cilët nisën përplasje me armë, tentativa për vrasje dhe vënie flakëve të makinave. Pas këtyre ngjarjeve arritën të binin në gjurmët e policisë.