1 mijë specializantë të papunë pas COVID-19, mjekët dalin masivisht në protestë: Të pezullohet vendimi!  

Një protestë po mbahet ditën e sotme nga mjekët specializantë të cilët u larguan nga puna pas qetësimit të situatës së COVID-19 në vend.

Të zhgënjyer nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë i cili vendos ndërprerjen e kontratës së tyre të punës, mjekët kanë dalë në protestë.

Njëra prej mjekëve është shprehur nuk ka një rregullore publike që thotë që mjekët, që janë ende në specializim i ndalohet të punojnë.

Ajo tregoi se kërkesa e tyre është të zhvillojnë një takim me Ministrinë e Shëndetësisë, për të shprehur problematikën që ato kanë. Nëse vendimi nuk rishikohet, mjekët paralajmëruan protesta dhe dërgim të çështjes në organet gjyqësore.

“Kemi një rregullore të specializimit, ku në asnjë pikë s’na ndalohet të punojmë paralelisht. Dokumenti ligjor që ndërpret marrëdhënien e punës, është kontrata.

Në atë nuk thuhet që mjekët duhet të specializohen dhe të ndjekin studimet e të punojmë. Ne jemi familjarë, kryefamiljarë dhe pjesa e punës është e rëndësishme. Ka vend për t’u parë kjo pjesë dhe për t’u ndryshuar.

Duhet të bëjmë një takim me Ministrinë, për këtë çështje. Ne jemi 4 breza, rreth 200 e ca veta në brez, bien rreth 800 persona pa punë. Ne nuk kemi asnjë kontratë, ne paguajmë këto studime, nuk marrim asnjë pagë. Vendi punës thotë kontribut për të marrë këtë specializim. Të marrësh specializimin janë trajnime pafund, shpenzime. Këto shpenzime mbulohen nga ne.

Në vlerë page mjeku i përgjithshëm merr 700 mijë lekë të vjetra, specialisti diku te 800 mijë lekë të vjetra. Hapin e parë e nisëm në formën ligjore, hapi i dytë është do të përshkallëzojmë veprimet tona, do të protestojmë dhe mund ta çojmë në gjykatë”- deklaruan mjekët.

Rikujtojmë se 1 mijë mjekë specializantë, të cilët u punësuan në sektorin publik të shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë dhe luftuan mbi një vit në spitalet COVID, kanë mbetur pa punë pas vendimit të lëshuar nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ku theksohet ndërprerja e kontratës së punësimit me mjekët specializantë. /albeu.com/

 


Shtuar 28.06.2021 10:43