Presidenti i SHBA, Donald Trump theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë premtuar se do të angazhohen me trupa ushtarake në Rripin e Gazës.
Gjatë fjalës së tij para liderëve që marrin pjesë në takimin e Bordit të Paqes në Uashington, ai bëri me dije edhe se SHBA do të japë 10 miliardë dollarë kontribut për Bordin e Paqes.
Presidenti amerikan tha se vendet pjesëmarrëse në këtë bord kanë vizionin për t’i dhënë fund terrorit dhe ekstremizmit, duke shtuar se edhe Irani nuk mund të vazhdojë më që të kërcënojë stabilitetin e rajonit të Lindjes së Mesme.
“Shqipëria, Kosova, Kazakistani, të gjitha kanë premtuar për trupa për të stabilizuar Gazën. Kanë ofruar trajnime për forcat e policisë palestineze. Pa mendoni kemi paqe në Lindjen e Mesme. Më parë nuk imagjinohej. Të gjithë kemi një vizion për t’i dhënë fund ekstremizmit dhe terrorit.
Irani nuk mund të vazhdojë të kërcënojë stabilitetin e të gjithë rajonit. Bordi i Paqes ka dëshmuar se zbaton zgjidhje, ne kemi arritur të dalim me zgjidhje. Më pak fjalë dhe më shumë veprim. E ardhmja më e mirë mund të ndërtohet duke nisur nga këtu. SHBA do të japë kontribut prej 10 miliardë dollarësh për Bordin e Paqes.”, tha ai.

