Katër personat që mbetën të plagosur nga përleshja me armë të enjten pasdite në Podujevë janë duke marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, konfirmoi për media se të lënduarit janë sistemuar në klinika të ndryshme për vijimin e trajtimit.
Njëri prej tyre, pacienti A. Islami, i cili në momentin e plagosjes ishte kalimtar i rastit, është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale. Atje ai i është nënshtruar një operacioni, gjatë të cilit predha është hequr me sukses dhe janë trajtuar kirurgjikisht të gjitha dëmtimet e konstatuara.
“Aktualisht, pacienti ndodhet në gjendje stabile, me parametra të mirë shëndetësorë. Ai do të vazhdojë trajtimin dhe monitorimin pas operacionit, në përputhje me protokollet e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale.” – ka deklaruar Qyqalla për Klan Kosovën.
Në ndërkohë, tre personat e tjerë, të cilët ishin të përfshirët kryesorë në përleshje, po trajtohen po ashtu në reparte të ndryshme.
Klani merr vesh se nga anëtarët e familjes Zejnullahu, 36-vjeçari është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, ndërsa 32-vjeçari po qëndron në Mjekimin Intensiv Qendror. Ky i fundit është operuar dje, pasi gjatë konfliktit kishte marrë plagë në kokë.
Nën trajtim në QKUK ndodhet edhe Agim Xhemajli, i cili është transferuar në Kirurgjinë Torakale për kujdes të mëtejmë mjekësor.
