I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, u prit sot në një takim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedimeve, palët trajtuan marrëdhëniet aktuale me Bashkimin Evropian, dinamikat në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ecurinë e procesit të dialogut. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjendjes së tanishme të këtij procesi dhe perspektivave për hapat e ardhshëm.
Në këtë kuadër, kryeministri Kurti nënvizoi përkushtimin e Kosovës për një qasje konstruktive, duke vënë në dukje synimin për paqe të qëndrueshme, siguri në kuadër euro-atlantik, stabilitet afatgjatë dhe fqinjësi të mirë sipas standardeve evropiane.
Kur u ndal te çështja e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje, e ngritur nga i dërguari Sorensen, kryeministri në detyrë deklaroi se Qeveria e Kosovës mbështetet fuqimisht në parimet kushtetuese dhe ligjore, duke kërkuar barazi për të gjithë qytetarët dhe përfshirje të komuniteteve. Ai theksoi se personeli në institucionet e Republikës duhet të pasqyrojë diversitetin etnik dhe të udhëhiqet nga aftësia profesionale dhe ndershmëria etike, qoftë në polici, në sistemin gjyqësor apo në prokurori.
Kurti kujtoi se dorëheqjet kolektive të ndodhura para katër vjetësh në veri të Ibrit kishin për qëllim të minonin karakterin shumetnik të sistemit demokratik të vendit. Sipas tij, zgjidhja përpara përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, të cilat për sistemin gjyqësor nënkuptojnë njëkohësisht ruajtjen e multietnicitetit dhe garantimin e pavarësisë e cilësisë së drejtësisë.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera aktuale të dialogut, me theks të posaçëm mbi domosdoshmërinë e respektimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe të Aneksit të Zbatimit të Ohrit, pa asnjë shkelje.
