Gjatë vizitave të sotme te familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, i njoftoi ato se veprimet e saj lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara do të ndërmerren brenda afateve të përcaktuara ligjore.
Të lidhura
None found
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në takimet me familjarët e tyre, presidentja përcolli solidaritet dhe vuri në dukje vështirësitë që kjo periudhë sjell si për familjet, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.
Njoftimi bën të ditur se Shiroka Pula riafirmoi të drejtën e apelit si pjesë të procesit gjyqësor. Ajo gjithashtu theksoi se mbështetja e Republikës së Kosovës për ish-krerët e UÇK-së do të vijojë edhe në këtë fazë, brenda përgjegjësive dhe mundësive të institucioneve.
Duke folur për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja e cilësoi atë si një përpjekje për liri përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve që regjimi i Serbisë ushtronte ndaj popullit të Kosovës. Sipas saj, ruajtja e së vërtetës historike dhe mbrojtja e dinjitetit të secilit që ka kontribuuar për lirinë e vendit vazhdojnë të kenë rëndësi.
Shiroka Pula u shpreh se familjet nuk do ta përshkojnë të vetme këtë rrugëtim. Ajo theksoi se Presidenca e Republikës së Kosovës do të jetë e hapur për to dhe do të mbështesë përpjekjet për drejtësi, duke ushtruar kompetencat që i përcaktojnë Kushtetuta dhe ligji.




