Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka përshëndetur vendimin e Prishtinës për t’iu bashkuar një mase të re kufizuese të BE-së ndaj Rusisë, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi në platformën X, Schuebel tha se ky hap e ruan Kosovën në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian.
“E mirëpres vendimin e sotëm të Kosovës për t’u harmonizuar me një masë shtesë kufizuese të BE-së kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës, si dhe me deklaratat e 27 vendeve anëtare të BE-së, duke ruajtur kështu harmonizimin e saj të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”, ka shkruar ambasadori.
Sipas tij, vijimi i përafrimit me qëndrimet e BE-së tregon angazhimin e Kosovës ndaj parimeve dhe vlerave evropiane.
“Përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë pasqyron respektimin e saj për vlerat evropiane”, është shprehur Schuebel.
Qeveria e Kosovës miratoi sot plotësim-ndryshimet në vendimin e vitit 2022, i cili u nxor pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë dhe lidhet me zbatimin e vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se synimi i këtij vendimi është përafrimi i mëtejshëm i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.







