Rinis gjykimi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, prokuroria: Provat do të dëshmojnë bashkëpunimin me BIA-n

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të akuzuar për spiunazh, u deklaruan përsëri të pafajshëm në seancën ku rinisi gjykimi ndaj tyre.

Të lidhura

None found

Rihapja e procesit gjyqësor erdhi pasi kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se gjykatësi Vesel Ismajli do të zëvendësohet nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli për shkak të afrimit të pensionimit të tij. Lajmi u raportua nga “Betimi për drejtësi”.

Prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se provat e mbledhura, të cilat do të shqyrtohen gjatë procesit, do të tregojnë se të pandehurit kanë ndihmuar BIA-n dhe kanë vepruar në shërbim të saj.

Sipas Kodraliut, raportet për hyrje-daljet në Serbi dhe kthimin në Kosovë brenda së njëjtës ditë, dokumentet, albumet me fotografi të luftës së Kosovës, diagramet dhe fotografitë e përgatitura, veçanërisht materialet e sekuestruara në posedim të Bedri Shabanit, pritet të provojnë përpjekjen e tij për ta lidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.

Prokurori tha gjithashtu se gjatë administrimit të provave do të argumentohet se Bedri Shabani, nga një datë e pacaktuar deri në arrestimin e tij më 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-n përmes Srgjan Rosiqit, duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe libra që lidhen me ngjarjet e UÇK-së. Sipas aktakuzës, këto veprime janë kryer përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve të drejtpërdrejta me Srgjan Rosiqin.

Aktakuza ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025. Ata akuzohen se i kanë përcjellë BIA-s serbe informacione dhe dokumente për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, drejtuesit dhe pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte të caktuara, përfshirë masakrën e Reçakut.

PSRK pretendon se qëllimi i këtyre veprimeve ishte nxitja e një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, krijimi i një narrative të rreme për lidhjen e Spitalit Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe vënia në dyshim e së vërtetës për masakrën, në kuadër të pretendimeve për trafikim organesh.


Shtuar më 9.10.2026 15:00