Komisioni i Pavarur i Mediave ka miratuar autorizimin njëvjeçar për Radio Policinë e Kosovës, e cila gjatë kësaj periudhe do të testojë teknologjinë dhe shërbimet e saj. Për transmetim do të përdoret frekuenca 92, ndërsa, në varësi të nevojave, mund të ndahen edhe frekuenca të tjera.
Të lidhura
None found
Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme, veçanërisht për mënyrën e financimit, pavarësinë editoriale dhe përputhjen e kësaj radioje me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, partia në pushtet ka kërkuar që çështja të mos kthehet në debat politik.
Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka dorëzuar dëshmi për kapacitetet njerëzore të nevojshme për realizimin e projektit. Ai ka sqaruar se frekuencat do të caktohen në bashkëpunim me zyrën ekzekutive të KPM-së.
Berisha ka vlerësuar se faza testuese është e dobishme për shoqërinë dhe se shërbimet e reja duhet të provohen. Sipas tij, një ndër përparësitë e radios do të jetë informimi për trafikun, ndërsa Policia e Kosovës është konsideruar shpesh institucioni më i besueshëm në vend, bazuar në disa hulumtime të realizuara.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e ka kundërshtuar nismën, duke kërkuar sqarime për funksionimin e radios, burimet e financimit dhe mundësinë e ndikimit politik në përmbajtjen e saj.
Kadrijaj ka thënë se nuk ka hasur një model të ngjashëm të radios së policisë në rajon dhe ka vënë në pikëpyetje nevojën për krijimin e saj, pasi në Kosovë ekzistojnë media të mjaftueshme që mbulojnë edhe çështjet e sigurisë.
Ajo ka kërkuar të bëhet e ditur se cili institucion do ta mbikëqyrë radion dhe nëse ajo mund të shndërrohet në zgjatje të qeverisë apo të marrë udhëzime nga Ministria e Brendshme për temat që do të transmetojë.
Deputetja ka ngritur gjithashtu çështjen e financimit, duke e krahasuar situatën me Radio Televizionin e Kosovës, i cili financohet nga qeveria dhe përballet vazhdimisht me vështirësi financiare. Sipas saj, duhet sqaruar nëse radioja e Policisë do t’i bëjë konkurrencë RTK-së dhe nëse iniciativa është në pajtim me legjislacionin e BE-së.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka mbështetur projektin. Ajo e ka cilësuar të nevojshëm një program që u ofron qytetarëve informacione nga burime të besueshme dhe ndihmon në luftimin e dezinformatave.
Nagavci ka theksuar se radioja mund të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve për çështjet e sigurisë, veçanërisht pas rasteve të shumta të dhunës me pasoja fatale, si dhe për tema të tjera që lidhen me veprimtarinë e Policisë.
Ajo ka thënë se në krye të radios pritet të jenë profesionistë të fushës dhe u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që këtë nismë të mos e përdorin si temë të përplasjeve politike.
Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për kp, ka bërë të ditur se puna për analizimin e mundësisë së krijimit të radios ka nisur vite më parë. Për këtë qëllim ishte formuar një grup punues, i cili ka shqyrtuar mënyrat e realizimit të projektit.
Gjatë procesit, Policia ka konsultuar partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë modelin e Radio KFOR-it, që funksionon në Kosovë që nga paslufta. Po ashtu, përfaqësuesit e saj kanë zhvilluar takime me disa radio në vend për t’u informuar rreth procedurave të funksionimit dhe transmetimit të lajmeve e informacioneve.
Sipas Policisë së Kosovës, qëllimi i radios është promovimi i punës policore në komunitet, afrimi i institucionit me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre për çështjet e sigurisë në bashkësi.
Ky institucion ka theksuar se është ndër më të besuarit dhe më transparentët në vend, ndërsa përmes radios synon ta ruajë dhe ta avancojë më tej besimin dhe transparencën e saj.






