Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë zhvilluar edhe sot aksionin e tyre para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke penguar hyrjen në ndërtesë, raporton KosovaPress.
Të lidhura
None found
Aksioni, që po vijon prej katër javësh, u shoqërua me pjesëmarrjen e asamblistit të PDK-së në Prishtinë, Yll Muriqi, dhe aktivistëve të kësaj partie. Muriqi deklaroi se Kosova ndodhet në paralizë institucionale dhe kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të mundësojë konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.
Sipas tij, vështirësitë e qytetarëve po shtohen ndërsa institucionet vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Ai akuzoi Kurtin se nuk po arrin të qeverisë dhe se vendi po mbahet peng nga veprimet e tij.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se qëllimi i aksionit është t’u bëhet e qartë qytetarëve se Qeveria po e mban Kosovën në krizë. Ai e përshkroi situatën si një krizë të thellë kushtetuese, politike, ekonomike dhe në raport me aleatët.
Behrami ngriti pikëpyetje edhe për përdorimin e buxhetit prej 4 miliardë eurosh, duke theksuar se jemi në shtator dhe se, sipas tij, nuk është realizuar asnjë projekt në shëndetësi, infrastrukturë apo arsim. Ai kërkoi rikthimin në Kuvend, konstituimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe adresimin e sfidave të brendshme e të jashtme.
Edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e cilësoi gjendjen si bllokadë totale. Ajo përmendi vështirësitë me sigurimin e librave shkollorë, problemet që, sipas saj, janë shkaktuar nga Ministria e Arsimit dhe faktin se procesi mësimor ka nisur me mungesa në shkolla.
Kadrijaj foli gjithashtu për mungesën e barnave në onkologji dhe sektorë të tjerë, çka i detyron pacientët t’i blejnë vetë medikamentet me kosto të lartë. Ajo shtoi se prej vitesh Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur konkurs për pranimin e specializantëve, të cilët synojnë avancimin në fushat përkatëse.
Sipas deputetes së Aleancës, përgjegjësia për këtë situatë i takon kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ajo tha se aksioni synon zhbllokimin e gjendjes, të cilën e cilësoi si të shkaktuar qëllimisht nga Kurti.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës po e zhvillojnë këtë aksion prej katër javësh, me kërkesën për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të Kosovës.
