Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vijojë përkrahjen për politikat dhe nismat që ndihmojnë kalimin më të shpejtë drejt tranzicionit të gjelbër, pakësimin e mbeturinave dhe forcimin e riciklimit. Këtë e ka bërë të ditur ministrja Fitore Pacolli në një postim në Facebook.
Të lidhura
None found
Reagimi i saj erdhi pas pjesëmarrjes në edicionin e dytë të Panairit dhe Konferencës së Ekonomisë Qarkore në Ballkanin Perëndimor, ku ishte e pranishme së bashku me ministren e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila. Veprimtaria kishte në qendër pakësimin e përdorimit të plastikës njëpërdorimshme dhe nxitjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.
Sipas Pacollit, ekonomia qarkore përbën një domosdoshmëri për ruajtjen e mjedisit, përdorimin me përgjegjësi të resurseve dhe hapjen e mundësive të reja në ekonomi.
Në postimin e saj, ministrja tregoi gjithashtu se gjatë vizitës në panair, së bashku me Kusari-Lilën, takuan bizneset pjesëmarrëse, të cilat paraqitën produktet dhe zgjidhjet e tyre inovative.
Pacolli i përgëzoi këto biznese për punën dhe përkushtimin që tregojnë në zhvillimin e ekonomisë qarkore dhe në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.






