Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin gjatë vizitës së tyre në Kosovë.
Të lidhura
None found
Lajmin e bëri të ditur vetë Osmani, e cila vlerësoi veçanërisht rolin e senatores Shaheen si një përkrahëse të palëkundur të Kosovës.
Gjatë bisedës, deputetja e LDK-së u kërkoi senatorëve të mbështesin procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe fillimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, ky proces ishte iniciuar zyrtarisht gjatë mandatit të saj si presidente.
Osmani shprehu gjithashtu mirënjohje për senatorët për një sërë nismash që ata kanë përkrahur dhe çuar përpara në Senatin amerikan, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Ajo tha se në takim kërkoi edhe mbështetje për ruajtjen e së vërtetës lidhur me luftën çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të përhapur propagandë dhe për të rishkruar historinë nuk duhet të lejohen.
Sipas Osmanit, viktima, populli i Kosovës, nuk mund të vendoset në të njëjtin nivel moral me agresorin, regjimin serb. Ajo nënvizoi se e vërteta historike nuk duhet relativizuar dhe se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi shtrembërimin e saj.
Ish-presidentja deklaroi se senatorëve u paraqiti argumente historike, juridike dhe politike kundër pretendimeve të propagandës serbe se në Kosovë ushtrohet represion ndaj të krishterëve.
Osmani e cilësoi këtë narrativë si të rrezikshme dhe tha se ajo, e promovuar me këmbëngulje nga qarqe në Serbi, duhet të kundërshtohet vazhdimisht nga institucionet e Republikës së Kosovës përmes fakteve dhe argumenteve. Ajo shtoi se liria fetare, bashkëjetesa dhe respektimi i të drejtave të të gjithëve janë vlera të Kosovës që nuk mund të dëmtohen nga propaganda.






