Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ndjekur nga afër deklarimet e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë për kahun që duhet të marrë politika energjetike e vendit.
Sipas saj, prioritetet e paraqitura deri më tani nuk i përgjigjen si duhet nevojës që Kosova të shtojë kapacitetet vendore për prodhimin e energjisë elektrike, të ulë varësinë nga importi dhe, si pasojë, të rrisë sigurinë e furnizimit.
Të lidhura
None found
Në vlerësimin e Odës Amerikane, çështja kryesore nuk lidhet me faktin nëse Kosova ka mundësi të importojë energji elektrike të prodhuar në shtetet fqinje. Dilema strategjike, sipas saj, është nëse vendi duhet të vazhdojë të mbështetet te importi i energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të orientohet drejt investimeve në kapacitete të reja prodhuese brenda territorit të vet, të cilat do të forconin sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike.
Për këtë arsye, Oda Amerikane thekson se ngritja e kapaciteteve të reja vendore duhet të trajtohet si përparësi kombëtare.
Ajo nënvizon se është pretenduar se importi i energjisë elektrike përmes rrjetit ekzistues të transmetimit paraqet një zgjidhje më praktike dhe me kosto më të ulët sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë. Megjithatë, sipas Odës, një vlerësim i tillë i mbështetur vetëm te shpenzimi fillestar i infrastrukturës nuk i reflekton përfitimet afatgjata që sjell krijimi i kapaciteteve të reja gjeneruese në vend.
Sipas saj, çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë e rrit sigurinë e furnizimit, e zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon më shumë stabilitet për ekonominë dhe qytetarët. Në të kundërt, mbështetja e vazhdueshme kryesisht te importi i energjisë elektrike e bën vendin të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk kontrollohen nga vendimmarrja e Kosovës. Oda përmend se kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë tregoi qartë se shtetet me kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut.
Sipas Odës Amerikane, kjo është një nga arsyet themelore pse shumë vende evropiane kanë investuar dhe vijojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane. Ajo thekson se, përtej dimensionit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike që lidhen me diversifikimin e burimeve të furnizimit, uljen e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në kushtet e realitetit të ri gjeopolitik, energjia nuk shihet më vetëm si mall tregtar, por si një përbërës kyç i politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike. Për këtë arsye, sipas saj, Kosova nuk duhet të mbetet jashtë këtij transformimi.
Oda Amerikane rithekson se pikërisht për këtë arsye zgjerimi i kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet ndër objektivat kryesore strategjike të Kosovës.
Në këtë kuadër, ajo vlerëson se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane përbën rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është përcaktuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.
Po sipas saj, kapacitetet gjeneruese të bazuara në LNG bëjnë pjesë te teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda vetëm dy deri në tre vitesh. Ajo shton se projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha për t’u financuar nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri. Njëkohësisht, Oda thekson se LNG-ja nuk përbën alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë, por përkundrazi është teknologjia që lehtëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke garantuar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik.
Nga ana tjetër, ajo vlerëson se gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por nuk mund t’u përgjigjet nevojave urgjente të Kosovës për shtimin e kapaciteteve prodhuese. Sipas Odës, një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për t’u realizuar, ndërsa sigurimi i financimit mbetet i pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se vendi duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitete të reja gjeneruese me bazë LNG për t’iu përgjigjur nevojave afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të veta vendore.
Në përfundim, Oda thekson se politikat energjetike nuk duhet të peshohen vetëm mbi bazën e kostos fillestare të investimit, por mbi aftësinë e tyre për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike. Sipas saj, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i hapte rrugë ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do ta rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do ta forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke iu referuar të gjitha këtyre argumenteve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj se, në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e konsiderojnë LNG-në amerikane si investim strategjik për sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.
