Nga Bosnja në Ukrainë, rrjeti ballkanik i lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë

Organizata ultranacionaliste ruse Rusov, pjesëtarë të së cilës janë përfshirë në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, është promovuar nga një këshilltar i partisë në pushtet në Vishegrad, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës.

Të lidhura

None found

Radio Evropa e Lirë (REL) ka raportuar më parë se Lëvizja Ndërkombëtare Bashkimi dhe Ringjallja Ruso-Sllave, e njohur si Rusov, ruan lidhje me disa organizata të ekstremit të djathtë në Serbi. Udhëheqësi i saj, Andrei Rodionov, ka udhëtuar disa herë në vende të rajonit.

Në prill, kanali i Rusovit në Telegram publikoi një fotografi të Velibor Zekoviqit, këshilltar i Partisë Socialiste të Republikës Serbe në Kuvendin e Vishegradit. Ai shfaqet duke mbajtur flamurin e kësaj lëvizjeje në kodrën Zagllavak, pranë Vishegradit.

Krahas Zekoviqit në fotografi ndodhet Zhellko Gjuroviq. Rreth dhjetë vjet më parë, ai prezantohej si drejtues i degës serbe të Lëvizjes Gjithë-Ruse Fronti i Kosovës, të cilën autoritetet ukrainase e konsiderojnë një entitet të përfshirë në organizimin e dërgimit të njerëzve nga Ballkani në frontin ukrainas. Në mëngën e xhaketës së Gjuroviqit duket gjithashtu një emblemë me simbolin e Rusovit.

Teksti shoqërues i fotografisë i përshkruan Zekoviqin dhe Gjuroviqin si “aleatë serbë të lëvizjes Rusov”. Aty thuhet gjithashtu se ata gjenden “te vendi ku në vitin 1993 vullnetarët rusë luftuan dhe derdhën gjak krah për krah me serbët për Bosnjën serbe”.

Zekoviqi nuk u është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të REL-it për të sqaruar raportet e tij me lëvizjen Rusov. As Partia Socialiste e Republikës Serbe, së cilës ai i përket, nuk ka komentuar lidhur me fotografinë.

REL-i kontaktoi edhe Zhellko Gjuroviqin nëpërmjet rrjetit rus Vkontakte dhe postës elektronike, por nuk mori përgjigje. Pa përgjigje mbeti edhe kërkesa drejtuar lëvizjes Rusov.

Lidhjet mes politikës në Bosnjë dhe së djathtës ruse

Gazetari nga Banjalluka, Gjorgje Vujatoviq, i cili mbulon çështjet e ndikimeve të huaja në Bosnjë e Hercegovinë, e cilëson paradoks afrimin e partive që mbajnë emërtimin socialist me organizatat e djathta.

“Është paradoksale që partitë që nominalisht quhen socialiste flirtojnë me organizata të krahut të djathtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me ideologjinë e së majtës”, deklaron ai për REL-in.

Sipas Vujatoviqit, marrëdhëniet e aktorëve politikë të Republikës Sërpska, entitet i Bosnjë e Hercegovinës, me grupet ruse të së djathtës nuk përbëjnë raste të izoluara, por janë kthyer në rregull.

Ai kujton se më herët një numër zyrtarësh dhe funksionarësh të lartë kanë marrë pjesë në aktivitete ku ishte i pranishëm edhe Aleksandar Zaldostanov. I njohur me nofkën “Kirurgu”, Zaldostanovi drejton grupin rus të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës” dhe ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

“E gjithë politika kryesore është e lidhur me Federatën Ruse”, përfundon Vujatoviqi.

Ai e shpjegon afrimin e partive kryesore të Republikës Sërpska me Moskën, para së gjithash, me oportunizmin politik. Sipas tij, një pjesë e madhe e opinionit publik në këtë entitet është e orientuar nga narrativi rus dhe nga politika e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Aktorët politikë e kanë kuptuar se kjo është e leverdishme për të ardhur në pushtet dhe të gjithë po hyjnë në valën e këtij populizmi dhe po luajnë me kartën e lidhjeve historike me Rusinë, pansllavizmit dhe ortodoksisë si faktor bashkimi”, shprehet Vujatoviqi.

Në anën tjetër, ai vlerëson se synimi kryesor i organizatave ruse është përhapja e ideve të tyre jashtë kufijve të Federatës Ruse.

“Ballkani, për shkak të lidhjeve historike, është hapësira më e përshtatshme për këtë veprimtari përmes përfaqësuesve dhe për shfaqjen e përkatësisë ndaj botës shumëpolare, siç e quajnë ata”, thotë ai.

Gjurmët e lidhjeve ruso-serbe nga lufta

Flamuri i organizatës ruse u shpalos nga Zekoviqi dhe Gjuroviqi pas një kryqi të improvizuar, të ndërtuar me kontejnerë bosh të granatahedhësve. Në atë zonë, gjatë luftës së viteve ’90 në Bosnjë e Hercegovinë, vepronin pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe vullnetarë të ardhur nga Rusia.

Shoqatat e veteranëve të luftës në Republikën Sërpska prej vitesh përkujtojnë “Ditën e Vullnetarëve Rusë”. Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës ua ndaluan vullnetarëve rusë hyrjen në vend. Për këtë arsye, në shënim ishin të pranishëm përfaqësues të shoqatave të veteranëve nga entiteti më i vogël i Bosnjës, si dhe familjarë të vullnetarëve nga Federata Ruse.

Mes personave që nuk u lejuan të hynin në Bosnjë ishte Aleksandar Kravçenko, ish-vullnetar rus në luftën e Bosnjës dhe themelues i organizatës Fronti i Kosovës, me të cilën lidhet edhe Zhellko Gjuroviqi. Organizata e Kravçenkos vepronte që përpara nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, gjatë konfliktit në Donbas, në lindje të vendit.

Autoritetet ukrainase e përshkruajnë Frontin e Kosovës si një organizatë që ka rol në rekrutimin e vullnetarëve ballkanikë. Kravçenko e ka hedhur poshtë këtë pretendim në një intervistë të mëparshme për REL-in.

Duke folur për shtetasit që shkojnë vullnetarisht në frontin ukrainas, Vujatoviqi thotë se kontaktet ndërmjet aktorëve serbë dhe rusë nuk paraqesin shqetësim të madh për sigurinë e brendshme të Bosnjë e Hercegovinës. Sipas tij, problemi është se shteti rrallë ndëshkon shtetasit që marrin pjesë në luftëra jashtë vendit.

“Shkuarja në fronte të huaja është e dënueshme, por shteti nuk reagon, pjesërisht edhe për shkak se disa prej këtyre njerëzve kanë marrë shtetësi ruse”, deklaron Vujatoviqi.

Rodinov është shfaqur së bashku me vullnetarët serbë “Danubi” dhe “Sava”.

Marrëdhëniet ruso-serbe vazhduan edhe pas shkurtit të vitit 2022, kur Kremlini nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës fqinje. Nuk ka një shifër të saktë për shtetasit e Bosnjës që kanë udhëtuar si mercenarë drejt frontit ukrainas. Megjithatë, Europoli njoftoi në vitin 2025 se mes qindra pjesëtarëve të identifikuar të grupeve mercenare ruse Wagner dhe Redut gjenden edhe shtetas të Bosnjë e Hercegovinës, pa publikuar hollësi të tjera.

Ndër figurat më të njohura përmendet Davor Saviçiq, serb nga Bosnja dhe kolonel në Drejtorinë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, e njohur si GRU. Autoritetet e Ukrainës kanë hapur ndaj tij procedurë penale për krime lufte.

Në fillim të vitit 2023, në Telegram u shpërnda një video ku dy ushtarë të maskuar flisnin serbisht. Ata deklaronin se u ishin bashkuar forcave ruse në Ukrainë, konkretisht batalionit Sudoplatov.

Duke përdorur emrat e koduar “Danubi” dhe “Sava”, të dy u vetëpërshkruan si “patriotë serbë dhe rusofilë” që kishin mbërritur për të ndihmuar “vëllezërit rusë”.

Identiteti i tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht. Mediat në Bosnjë e Hercegovinë, megjithatë, raportuan se bëhet fjalë për shtetas të këtij vendi, të kërkuar nga Interpoli për vepra penale.

Në videon e “Danubit” dhe “Savës”, të dy mbanin emblemën e lëvizjes Rusov.

I njëjti skifter i verdhë me kryqin diellor, simbol i përdorur gjerësisht në ikonografinë e grupeve të ekstremit të djathtë, gjendet edhe në flamurin që Velibor Zekoviqi dhe Zhellko Gjuroviqi shpalosën në prill të vitit 2026.

Profili dhe veprimtaria e lëvizjes Rusov

Simboli i përket një shoqate ruse, manifesti zyrtar i së cilës paraqet si një prej objektivave kryesore rivendosjen e “Rusisë së Madhe historike, mbrojtëses së sllavëve, bastionit të vlerave tradicionale dhe garantueses së ndërtimit të një shoqërie të drejtë nga pikëpamja sociale”.

Pas shpërthimit të luftimeve në lindje të Ukrainës në vitin 2014, Rusov u pozicionua në mbështetje të separatistëve prorusë. Sipas deklarimeve të vetë Rodionovit, ai krijoi njësinë Feniks, e cila luftoi në përbërje të brigadës Prizrak. Pjesë e saj ishin edhe disa vullnetarë nga Serbia, për të cilët REL-i ka raportuar më herët.

Në një fotografi që pretendohet se është realizuar në vitin 2015, në territorin e të ashtuquajturës “Republikë Popullore e Luhanskut”, Rodionovi paraqitet me uniformë kamuflazhi. Së bashku me një burrë tjetër, ai mban një flamur të kuq me një simbol të ekstremit të djathtë, të njohur edhe si “svastika sllave”.

Pasi nisi pushtimi, Rodionovi publikoi në Telegram fotografi ku shfaqej i armatosur dhe me uniformë. Ai pretendoi se në vitin 2023 ishte bërë pjesë e Korpusit Vullnetar Sulmues të Federatës Ruse.

Prania e Rusovit në Ballkan

Lëvizja u krijua në vitin 2012. Themeluesi i saj, Andrej Rodionov, ka vizituar disa herë Ballkanin dhe këto udhëtime i ka dokumentuar me fotografi në rrjetet e tij sociale.

Gjatë një interviste për Radio Beogradin në vitin 2020, ai deklaroi se lëvizjes së tij i bashkohen “jo vetëm organizata dhe lëvizje të tjera, por edhe parti”.

Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, Rodionovi e ka vizituar vendin disa herë që nga viti 2017. Në vitin 2018, pranë Shkupit, ai organizoi një kamp ku mësoheshin artet marciale dhe “traditat shpirtërore të Rusisë së Lashtë”.

Në Serbi, Rodionovi ka lidhje me Patrullën Popullore, një grup të paregjistruar të ekstremit të djathtë, të njohur për veprimet kundër migrantëve. Në vitin 2021, ai dhe drejtuesi i këtij grupi, Damnjan Knezheviq, shënuan në Beograd 100-vjetorin e eksodit të monarkistëve rusë nga Rusia pas Revolucionit të Tetorit.

Image

Po në vitin 2021, pak kohë përpara kësaj ngjarjeje, Knezheviqi kishte udhëtuar në Moskë, ku mes personave që takoi ishte edhe Andrej Rodionovi.

Në një fotografi, Andrej Rodionovi paraqitet i treti nga e majta, së bashku me simbolet e grupit të ekstremit të djathtë Skifteri Serb.

Rusov krijoi ndërkohë lidhje edhe me Skifterin Serb, një organizatë më pak të njohur të ekstremit të djathtë. Në korrik të vitit 2024, ky grup mbajti në Novi Sad një tubim kushtuar “çlirimit të Srebrenicës”. Formulimi i referohej përvjetorit të gjenocidit të kryer në vitin 1995, gjatë marrjes së enklavës nga forcat e Republikës Sërpska nën komandën e Ratko Mlladiqit.

Për gjenocidin dhe krime të tjera të kryera në Bosnjë e Hercegovinë, Mlladiqi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë.

Në maj të vitit 2025, profili i Skifterit Serb në Instagram publikoi një fotografi të Andrej Rodionovit me tre persona të maskuar, të veshur me uniforma dhe të armatosur. Në pamje shihen të shpalosur flamujt e Rusovit dhe të Skifterit Serb.

Fotografia shoqërohej me mbishkrimin: “Bashkëluftëtarët rusë me skifterët serbë në frontin e mbrojtjes së ortodoksisë”. Si vendndodhje ishte shënuar Donjecku, në lindje të Ukrainës.

Flamujt me simbolet e Rusovit janë parë gjithashtu në protestat në përkrahje të pushtimit rus të Ukrainës, të organizuara në disa raste nga grupet e ekstremit të djathtë në Beograd.


Shtuar 7.08.2026 11:05

Tags: ,
matbetHoliganbetHoliganbetHoliganbetGrandpashabetholiganbetHoliganbetJojobetjojobetgrandpashabetbetparkcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortcasibom girişAnkara escortcasibomjojobetJojobet GirişJojobet GirişJojobetholiganbetmarsbahiscasibombigboss