Gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe problemet me të cilat përballen ata u diskutuan gjatë një takimi në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku kryetari Enkel Rexhepi priti përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.
Të lidhura
None found
Në këtë takim ishin të pranishëm diplomati amerikan dhe sekretari i parë Pepijn Helgers, zyrtarja e Seksionit Politik Ksenija Lazović, si dhe zyrtari politik Joseph “Joe” Gayeski.
Rexhepi bëri të ditur se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës.
Sipas tij, ky proces po përdoret si procedurë administrative për atë që ai e përshkroi si “spastrimi etnik i shqiptarëve në Luginë me mjete administrative”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar akuzoi Qeverinë e Serbisë se nuk ka zbatuar marrëveshjet e nënshkruara, çka, sipas tij, ka penguar zhvillimin ekonomik të Luginës dhe ka dobësuar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Qeverisë serbe, e ka lënë Luginën si rajonin më të pazhvilluar, ndërsa shqiptarët të nënpërfaqësuar, të diskriminuar dhe me jetesë të vështirësuar”, ka shkruar Rexhepi.
Gjatë takimit është vënë në dukje se situata e shqiptarëve në Luginë është rënduar në krahasim me 15 vjet më parë.
Rexhepi deklaroi se përjashtimi institucional dhe mosintegrimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë kanë sjellë ulje të numrit të policëve, gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë, krahasuar me 15 vjet më parë.
Ai pretendoi se në disa institucione republikane nuk është i pranishëm asnjë përfaqësues shqiptar.
Rexhepi e përmbylli postimin duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara si “aleati kryesor i shqiptarëve”. Ndërkohë, Ambasadën Amerikane në Beograd e vlerësoi si ambasadë mike të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
