Autoritetet serbe nuk lejuan të premten hyrjen në Preshevë të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deputeteve Fatmire Kollçaku e Liza Gashi dhe këshilltarit politik të kryeministrit, Ragmi Mustafi.
Të lidhura
None found
Nagavci bëri të ditur se delegacioni po udhëtonte drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllime kryetares së kësaj komune, Ardita Sinani, pas vdekjes së babait të saj.
Sipas saj, policia serbe i ndaloi në pikën kufitare dhe i mbajti për më shumë se dy orë pa u dhënë asnjë arsye. Pas kësaj pritjeje, delegacioni u njoftua se nuk mund të vazhdonte udhëtimin dhe duhej të kthehej.
Nagavci ka theksuar se vizita ishte private, njerëzore dhe pa ndonjë agjendë politike, ndaj e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e autoriteteve serbe.
Ajo ka deklaruar se, së bashku me Fatmire Kollçakun, Liza Gashin dhe Ragmi Mustafin, ishte nisur drejt Preshevës për të shprehur ngushëllimet ndaj Ardita Sinanit. Sipas saj, “pushteti i Vuçiqit”, përmes policisë, i ndaloi në kufi dhe pas më shumë se dy orësh pa shpjegim i urdhëroi të ktheheshin. Nagavci ka thënë se edhe një rast zie u trajtua politikisht dhe se, për shkak të ndalimit, ngushëllimet u përcollën pranë kufirit, ku Sinani shkoi bashkë me familjarët e saj për t’i takuar.
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes e ka quajtur këtë veprim të pajustifikueshëm dhe ka bërë të ditur se rasti do t’u përcillet autoriteteve kompetente dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.

Analistët shqiptarë në Preshevë e kanë dënuar ndalimin, duke e konsideruar të shëmtuar dhe pa bazë. Ata kërkojnë që çështja e vizitave të ndërsjella mes Kosovës dhe Serbisë të rregullohet me parimin e reciprocitetit, njësoj siç është zgjidhur çështja e targave.
Analisti Refik Hasani ka thënë se Serbia nuk e ka penguar për herë të parë hyrjen e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, një praktikë e tillë bie ndesh me parimin e reciprocitetit, pasi përfaqësues të legjislativit, ekzekutivit, Kishës Ortodokse Serbe dhe Akademisë së Serbisë vazhdojnë të vizitojnë Kosovën. Hasani vlerëson se, nëse zyrtarëve të Kosovës u ndalohet hyrja në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, Sanxhak apo në pjesë të tjera të Serbisë, atëherë e njëjta masë duhet të zbatohet edhe ndaj përfaqësuesve serbë që vizitojnë Kosovën.
“Bota sot” raporton se Hasani e sheh këtë qëndrim si të papajtueshëm me parimet e reciprocitetit, veçanërisht në kohën kur në Bruksel po zhvillohen bisedime dhe ekzistojnë marrëveshje nën praninë e monitorimin e ndërkombëtarëve. Sipas tij, nëse Serbia pengon vizitat e liderëve institucionalë të Kosovës, edhe Kosova duhet të refuzojë vizitat nga Serbia.
Hasani beson se pushteti i Aleksandar Vuçiqit po e përdor kontrollin kufitar për qëllime politike. Ai e lidh këtë edhe me fushatën e ashpër elektorale në Serbi për zgjedhjet që do të mbahen më 25 tetor të këtij muaji.
Analisti kërkon që lëvizja e përfaqësuesve të dy vendeve të rregullohet në të njëjtën mënyrë si çështja e targave të automjeteve dhe mospranimi i valutës së dinarit në tregun financiar të Kosovës. Sipas tij, vetëm trajtimi i barabartë dhe reciprok i Kosovës e Serbisë mund të krijojë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve.
Hasani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të mbajë një qëndrim të drejtë dhe të mos përdorë standarde të dyfishta për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe atyre kosovarë në Serbi.
Ai ka ngritur pyetjen se, nëse Kosova lejon vizitat e ministrave, kryeministrit, presidentit, komisioneve parlamentare dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe nga Serbia, përse Serbia nuk lejon që shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të vizitohen nga drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Sipas tij, kjo është çështje që duhet t’i adresohet Bashkimit Evropian.

Analisti Nehat Hyseni e ka cilësuar ndalimin një incident serioz dhe të papranueshëm.
Në një prononcim për “Bota sot”, Hyseni ka deklaruar se ndalimi i Arbërie Nagavcit, Fatmire Kollçakut, Liza Gashit dhe Ragmi Mustafit nga autoritetet kufitare serbe më 9 tetor 2026, gjatë udhëtimit drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllime Ardita Sinanit për vdekjen e babait të saj, ka domethënie të qartë politike.
Ai ka thënë se delegacioni u mbajt për më shumë se dy orë në pikën kufitare të Depcës, pa marrë një shpjegim të qartë, ndërsa më pas iu komunikua se nuk mund të vazhdonte rrugën. Për këtë arsye, ngushëllimet u përcollën pranë kufirit, ku Ardita Sinani shkoi me familjarët e saj për t’i takuar.
Sipas Hysenit, veprimi i autoriteteve serbe është i shëmtuar dhe i pajustifikueshëm, sidomos pasi bëhej fjalë për një vizitë njerëzore në një moment zie familjare. Ai vlerëson se mungesa e respektit për një rast të tillë ngre pikëpyetje mbi zbatimin e lirisë së lëvizjes dhe trajtimit të barabartë.
Hyseni ka sqaruar se Serbia ka të drejtë të kontrollojë kufijtë e saj dhe të zbatojë ligjet kombëtare, por kontrolli kufitar nuk mund të përdoret në mënyrë arbitrare nga pushteti administrativ. Sipas tij, çdo kufizim i lirisë së lëvizjes duhet të mbështetet në një bazë të qartë ligjore, të shoqërohet me arsyetim të kuptueshëm dhe të mund të kundërshtohet përmes procedurave përkatëse.
Ai e lidh këtë situatë me qëndrimin e Serbisë ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se Beogradi nuk e përfill sa duhet BE-në dhe përpiqet të qëndrojë njëkohësisht me Rusinë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht kohëve të fundit.






