Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi në New York një takim me drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
Të lidhura
None found
Biseda u përqendrua te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe FMN-së, reformat ekonomike të Qeverisë, si dhe sfidat e reja që po ndikojnë në ekonominë globale.
Takimi u mbajt gjatë vizitës së Kurtit në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimit, palët shqyrtuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe diskutuan mënyrat për zgjerimin e mëtejshëm dhe diversifikimin e partneritetit mes Kosovës dhe FMN-së.
Kurti deklaroi se fokusi i agjendës reformuese të Qeverisë është krijimi i vendeve më cilësore të punës, me vëmendje të veçantë ndaj të rinjve dhe grave.
“Agjenda e reformave synon krijimin e vendeve më të mira të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, përmes rritjes së produktivitetit, investimeve dhe eksporteve, si dhe rritjes së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore”, tha Kurti.
Në kuadër të këtyre politikave, kryeministri përmendi zgjerimin e programit SuperPuna për Gratë, krahas vijimit dhe përmirësimit të sistemit të arsimit dual.
Gjatë takimit u fol edhe për performancën e ekonomisë së Kosovës. Kurti theksoi se rritja ekonomike ka arritur në 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Diskutimi përfshiu gjithashtu zhvillimet në ekonominë botërore, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës dhe krizën energjetike. Të dyja palët shqyrtuan mekanizmat dhe masat e nevojshme për përballimin e këtyre vështirësive.
Kurti e falënderoi Georgievën për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të FMN-së me Kosovën, ndërsa shprehu gatishmërinë që gjatë mandatit të ri kjo marrëdhënie të thellohet dhe të diversifikohet më tej.
“Synimi ynë është që bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar ta thellojmë dhe diversifikojmë edhe më tej”, u shpreh Kurti.
