Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me kongresistin amerikan Mike Lawle.
Një nga çështjet e diskutuara ishte aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Kurti deklaroi se vendimi përmban pasaktësi në fakte, keqinterpretime të historisë dhe gabime në aspektin ligjor.
Të lidhura
None found
Sipas kryeministrit, pretendimet për trafikim organesh të përmendura në raportin e Dick Marty-t nuk u përfshinë në aktakuzën e Prokurorisë.
“Vendimi shpërfilli pretendimet fyese dhe të pabesueshme për trafikimin e organeve në raportin e Dick Marty-t, të cilat ishin aq të pabesueshme saqë as Prokuroria nuk i ngriti si akuza”, tha Kurti.
Kurti shtoi se Gjykata Speciale i ka hedhur poshtë edhe akuzat për krime kundër njerëzimit.
“Ajo gjithashtu i hodhi në mënyrë kategorike poshtë pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit”, u shpreh ai.
Megjithatë, kryeministri vlerësoi se pjesët e tjera të aktgjykimit duhet të kundërshtohen përmes procedurës së apelit.
“Gjetjet e mbetura, megjithatë, u mbështetën në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Presim që ato të korrigjohen plotësisht në apel”, deklaroi Kurti.
Vendimi i shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së mund të ankimohet, ndërsa procesi gjyqësor vijon në fazën e procedurave të apelit.
Në bisedën me Lawler, Kurti trajtoi gjithashtu raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, investimet, si dhe gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Takimit iu bashkua edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
