KE pritet të vendosë pas 15 korrikut për fondet e reformave në Ballkanin Perëndimor

Afati i periudhës së katërt të raportimit për realizimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes ka përfunduar më 30 qershor. Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkaq, duhet t’ia dorëzojnë Komisionit Evropian raportet mbi zbatimin e reformave deri më 15 korrik.

Pas përmbylljes së këtij afati, sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian, do të nisë vlerësimi i përmbushjes së detyrimeve, mbi bazën e të cilit më pas do të merret vendimi për pagesat që i takojnë secilit vend. Siç është bërë e ditur, këto pagesa do të ekzekutohen vetëm pasi të vërtetohet se reformat e përcaktuara në agjendat reformuese janë zbatuar plotësisht.

Të lidhura

None found

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, tha: “Ajo që është vërtet e rëndësishme të theksohet është se ne i inkurajojmë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë instrument, sepse ai u mundëson të përfitojnë fonde dhe t’i përdorin ato në potencialin e tyre të plotë. Prandaj, i nxisim fuqishëm ta bëjnë këtë dhe mbetemi në dispozicion për t’i mbështetur secilin prej tyre gjatë këtij procesi”.

Për Kosovën, data 30 qershor përkoi me mbylljen e afatit për përmbushjen e 13 hapave reformues, të cilët kanë një vlerë totale prej afro 91 milionë eurosh.

Po më 30 qershor 2026 përfundoi edhe e ashtuquajtura periudhë gri për zbatimin e hapave reformues që në fillim ishte paraparë të realizoheshin në mesin e vitit të kaluar, në kohën kur vendi ishte në krizë institucionale.

Rregullorja e Planit të Rritjes parasheh që, nëse hapat reformues nuk realizohen brenda periudhës gri dhe afati i tyre mbaron, fondet e planifikuara për to mund t’u ridrejtohen përfituesve të tjerë.


Shtuar 2.07.2026 15:29

Tags: , ,