Për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë qenë ndër kundërshtarët kryesorë në skenën politike të Kosovës.
Të lidhura
None found
LVV-ja e ka ndërtuar një pjesë të profilit të saj politik përmes kritikave ndaj qeverive të udhëhequra nga PDK-ja.
Megjithatë, përballë rrezikut të zgjedhjeve të reja, dy partitë gjetën një pikë të përbashkët te Justina Shiroka Pula, ish-ministre e PDK-së, të cilën LVV-ja e propozoi për presidente.
Marrëveshja u arrit në orët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit. Në të njëjtin kompromis u përfshinë edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të propozuara nga PDK-ja dhe të kundërshtuara më herët nga LVV-ja për shkak të pasojave të mundshme.
Shiroka Pula mori 81 vota për t’u zgjedhur presidente, ndërsa ndryshimet ligjore u miratuan me 88 vota.
Rasti ngriti pikëpyetje mbi arsyet që e bënë një ish-zyrtare të PDK-së të pranueshme për LVV-në, si dhe mbi natyrën e marrëveshjes: a ishte ky një tregues i afrimit të dy partive, apo vetëm një përputhje e përkohshme interesash?
Në orët e mbrëmjes së 6 tetorit, jashtë Kuvendit të Kosovës po protestohej kundër ligjit që përcakton funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Situata ishte e tensionuar pas përleshjeve të një nate më parë. Policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit kishin hedhur gurë dhe mjete piroteknike.
Brenda ndërtesës së Kuvendit, deputetët përballeshin me presionin për ta zgjedhur presidentin. Dështimi në këtë proces mund ta çonte vendin në zgjedhje të reja parlamentare, të katërtat brenda më pak se dy vjetësh.
LVV-ja kishte nevojë për votat e PDK-së për zgjedhjen e presidentit, ndërsa PDK-ja kërkonte përkrahjen e LVV-së për ndryshimet në ligjin që lidhet me Specialen. Pavarësisht kësaj varësie të ndërsjellë, deklaratat publike të dy partive mbetën përplasëse.
Kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e akuzonte PDK-në se po refuzonte takimet e nevojshme për një marrëveshje.
“Përveçse nuk duan bashkëpunim, tash nuk duan as takim. Atëherë, si mund të kërkohet marrëveshje pa takim, pa bisedim, pa bashkëpunim”, deklaronte Kurti.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, e shihte ndryshe problemin dhe thoshte se takimet e zhvilluara nuk kishin sjellë seriozitetin e nevojshëm.
“Kemi pasur mjaftueshëm takime. Unë në Kuvend kam qenë. Gjithë ditën këtu kam qenë. Por, me takime me ndryshime të qëndrimeve, është problem të arrihet te marrëveshja. Nuk ka seriozitet”, deklaronte ai.
Edhe pse përplasjet vazhdonin, LVV-ja vijoi të paraqiste propozime të reja.
Brenda pak më shumë se tetë orësh, Kurti doli tri herë në konferenca për media dhe prezantoi emra e kushte të ndryshme për arritjen e marrëveshjes.
Emri i parë i propozuar ishte Bekim Sejdiu. Më pas, Kurti përmendi Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin, duke e lidhur çdo propozim për presidentin me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
Gjatë paraqitjes së tretë publike, ai nxori në skenë kandidaturën e Justina Shiroka Pulës.
Bedri Hamza deklaroi se, ndonëse PDK-ja nuk kishte pasur mundësi të bisedonte me Shiroka Pulën, emri i saj ishte i pranueshëm për partinë.
Pas kësaj deklarate, përfaqësuesit e dy partive shtrënguan duart brenda pak minutash.
Kuvendi miratoi fillimisht ndryshimet në ligj dhe më pas vazhdoi me votimin për presidentin. Në garë ishin dy kandidate, Justina Shiroka Pula dhe Eliza Hoxha.
Me 81 vota, Shiroka Pula u zgjodh presidente dhe në minutat e para të 7 tetorit bëri betimin për detyrën.
Pas betimit, ajo tha se do të ishte presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallime politike, etnike apo shoqërore, dhe se do të punonte për unitetin, drejtësinë, zhvillimin dhe forcimin e institucioneve.
Secila prej dy partive e interpretoi marrëveshjen si një rezultat në favor të saj.
PDK-ja siguroi mbështetjen për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, një kërkesë kryesore e protestuesve pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, LVV-ja arriti ta zgjedhë presidenten dhe shmangu mundësinë e një procesi të ri zgjedhor.
Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, pranoi se shmangia e zgjedhjeve të reja ishte pjesë e llogaritjeve politike të partisë.
Ajo tha gjithashtu se LVV-ja vazhdon të jetë skeptike për ndikimin që ndryshimet në Ligjin për Specialen mund të kenë në dënimet e ish-krerëve të UÇK-së.
Nagavci shpjegoi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se partia kishte votuar për Shiroka Pulën duke besuar se ajo do ta ushtronte me përgjegjësi të lartë detyrën e presidentes.
Sipas saj, kandidatura u mbështet për shkak të përgatitjes profesionale, integritetit dhe përvojës së Shiroka Pulës.
Nagavci vlerësoi se presidentja e re e kupton nevojën për të qëndruar mbi partitë politike.
Vetë presidentja nuk ka dhënë publikisht hollësi për mënyrën se si u bë kandidate. Ajo nuk ka treguar nëse ishte konsultuar paraprakisht me partitë politike dhe çfarë e kishte bindur ta pranonte propozimin e Kurtit.
Edhe PDK-ja nuk dha shpjegime të detajuara për arsyet e mbështetjes së saj.
Zyrtarët e kësaj partie nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse kandidatura e Shiroka Pulës ishte diskutuar përpara propozimit të Kurtit dhe cilat ishin arsyet që e bënë atë të pranueshme.
Megjithatë, emri i saj kishte qarkulluar më herët në diskutimet për postin e presidentit.
Në mars, kur partitë po kërkonin një pasuese të Vjosa Osmanit, gazeta KOHA raportoi se Shiroka Pula ishte ndër personalitetet që gëzonin mbështetje brenda PDK-së për një kandidaturë konsensuale.
Kur u zgjodh presidente, ajo kishte më shumë se 12 vjet që ishte tërhequr nga politika aktive.
Karriera e saj politike ishte e lidhur me PDK-në dhe me qeverisjen e Hashim Thaçit.
Gjatë periudhës 2008-2011, Shiroka Pula drejtoi Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, në kohën kur qeveria po avanconte projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
Pas kësaj, deri në vitin 2014, ajo shërbeu si deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Përkatësinë e saj partiake e kishte konfirmuar edhe në vitin 2013, kur u raportua se mund t’i bashkohej nismës së re politike të Fatmir Limajt.
Shiroka Pula i mohoi ato raportime dhe deklaroi se ishte pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe se do të vazhdonte të qëndronte aty.
Pas largimit nga Kuvendi, ajo iu rikthye punës akademike si profesoreshë e ekonomisë.
Në vitin 2016 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Katër vjet më vonë, në vitin 2020, u bë anëtare e rregullt e saj.
Në fund të vitit 2025, Shiroka Pula u zgjodh gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.
Analisti politik Arben Qirezi e sheh largimin e saj nga politika aktive si një ndër arsyet që mund ta shpjegojnë pranueshmërinë e kandidaturës.
Për Exposenë, Qirezi tha se ajo nuk vinte në Presidencë drejtpërdrejt nga radhët e PDK-së, por nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Sipas tij, e kaluara politike nuk duhet të jetë faktori që përcakton nëse një personalitet mund të marrë një detyrë të rëndësishme publike.
Për pavarësinë e Shiroka Pulës foli edhe Petrit Selimi, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës dhe person që e kishte njohur gjatë kohës kur të dy ishin pjesë e PDK-së.
Selimi e përshkroi atë si një person të pavarur, që nuk mund të kontrollohet, të ndikohet apo të vihet lehtë nën presion. Sipas tij, ajo ka qëndrime të qarta dhe di të thotë si “po”, ashtu edhe “jo”, kur është e nevojshme.
Megjithatë, Selimi dyshon se LVV-ja mund ta ketë propozuar Shiroka Pulën për shkak të frikës nga një rezultat i pafavorshëm në rast të zgjedhjeve të reja.
Ai supozon se partia mund të ketë pasur sondazhe që tregonin nivelin e mbështetjes së saj elektorale.
Kjo mbetet vetëm një hipotezë e Selimit dhe nuk është konfirmuar si arsye e vendimmarrjes së LVV-së.
Arben Qirezi nuk e sheh marrëveshjen si dëshmi të një afrimi të domosdoshëm politik ndërmjet LVV-së dhe PDK-së.
Sipas tij, kompromisi u bë i mundur sepse interesat e dy partive u përputhën në një moment të caktuar.
Miratimi i ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme krijuan një bazë të përbashkët për pajtim rreth një figure më të pranueshme.
Në këtë këndvështrim, zgjedhja e Shiroka Pulës nuk tregon se dallimet mes dy partive janë zhdukur apo janë zvogëluar. Ajo dëshmon vetëm se LVV-ja dhe PDK-ja mundën të bashkëpunonin për dy objektiva të caktuara.
Mbetet e paqartë nëse marrëveshja do të mbetet një rast i veçantë apo do të shërbejë si pikënisje për bashkëpunime të tjera.
Petrit Selimi vlerëson se pengesat mes dy partive nuk burojnë vetëm nga dallimet ideologjike ose programore.
Sipas tij, në disa raste përplasja është ushqyer më shumë nga mosdurimi personal dhe antagonizmi i krijuar gjatë viteve.
Ky antagonizëm, siç shpjegon Selimi, është forcuar edhe nga mënyra se si janë trajtuar politikisht zyrtarët e qeverive të mëparshme, të cilët shpesh janë paraqitur si pjesë e “regjimit të vjetër”.
Për Shiroka Pulën, marrëveshja politike që e solli në Presidencë tashmë i përket së kaluarës. Detyra e saj është të drejtojë mandatin në mënyrë të pavarur nga partitë që e mbështetën.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton presidentin si kreun e shtetit dhe si përfaqësues të unitetit të popullit.
Presidenti e përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, ushtron kompetenca në politikën e jashtme dhe ka përgjegjësi për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Arben Qirezi thotë se një prej provave kryesore të mandatit të Shiroka Pulës do të jetë aftësia e saj për t’u qëndruar mbi ndarjeve politike.
Ai shpreson se presidentja do ta përmbushë rolin unifikues të përcaktuar nga funksioni i saj dhe se, në këtë mënyrë, mund të ndihmojë në zbutjen e polarizimit në shoqërinë dhe politikën kosovare.
Pas marrjes së detyrës, në vizitën e saj të parë, Shiroka Pula u ndal në tri vende me rëndësi simbolike: në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Këto tri figura përfaqësojnë kapituj dhe tradita të ndryshme të historisë politike të Kosovës.
Gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, roli i saj pritet të shkojë përtej simbolikës së këtyre vizitave.
Zhvillimet ndërkombëtare, raportet e Kosovës me aleatët dhe përpjekjet për forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare do ta përballin presidenten me çështje të rëndësishme politike dhe institucionale. / REL







