Gjenerallejtënant Sebahattin Kilinç viziton Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së

Gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, komandant i Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priti në një vizitë zyrtare gjenerallejtënant Sebahattin Kilinç, komandant i Komandës së Përbashkët Strategjike Ndërkombëtare, i cili shoqërohej nga delegacioni i tij.

Të lidhura

None found

Takimi u mbajt në Komandën e Forcave Tokësore. Sipas një komunikate për media, bisedimet u përqendruan te proceset aktuale të zhvillimit të FSK-së, veçanërisht te forcimi i kapaciteteve të kësaj komande.

Siç bëhet e ditur në njoftim, pala turke ndau përvojën e Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë për zhvillimin profesional dhe rritjen e kapaciteteve të personelit të FSK-së. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e mundësive të shkollimit dhe trajnimit në Turqi.

Në mbyllje, të dyja palët shprehën vlerësim të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin mes dy forcave, si dhe gatishmërinë për t’i vazhduar e thelluar më tej marrëdhëniet bashkëpunuese.


Shtuar më 13.10.2026 15:02