Gjatë një vizite në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi se çdo reformim i mirëfilltë i shtetit matet me fuqizimin e sistemit të drejtësisë.
Në këtë vizitë, Gërvalla dhe ekipi i saj u pritën nga ushtruesi i detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës, Valon Hajdini, si edhe nga gjyqtarë dhe përfaqësues të stafit administrativ të degës.
Të lidhura
None found
Ajo bëri të ditur se në takimin e zhvilluar është informuar për gjendjen dhe performancën e institucionit, për ngarkesën me lëndë dhe efikasitetin në trajtimin e tyre, si dhe për sfidat me të cilat përballet gjykata dhe hapat e ndërmarrë për të ulur numrin e lëndëve të pazgjidhura.
“Reforma në drejtësi nuk është premtim politik, por një domosdoshmëri shtetërore. Pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, procesi i Vetingut dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbëjnë shtyllat kryesore të ndërtimit të një sistemi drejtësie më të përgjegjshëm, më të besueshëm dhe më të drejtë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
Më tej, Gërvalla u shpreh se Republika e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi pandëshkueshmëri dhe se nuk mund të përparojë me institucione të dobëta.
“Drejtësia duhet të jetë e fortë, profesionale dhe e pakompromis ndaj paligjshmërisë, sepse vetëm kështu forcohet besimi i qytetarëve dhe konsolidohet vetë Republika.Reforma në drejtësi është e paalternativë, ndërsa pandëshkueshmëria nuk është opsion për një shtet të së drejtës”, ka thënë ajo.
