Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë kallëzim penal ndaj Snezhana Paunoviqit, ministres në Qeverinë e Serbisë.
Të lidhura
None found
Përmes profilit të saj zyrtar, Gërvalla njoftoi se i është drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kërkesën që të zhvillohen të gjitha veprimet hetimore dhe çështja të procedohet me aktakuzë, si edhe me kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente.
Sipas saj, deklaratat e tilla lidhen me pasojat e rënda historike që ka lënë lufta e fundit në Kosovë.
“Sot kam deponuar kallëzimin penal ndaj Snezhana Paunoviqit. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike. Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore. Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Gërvalla.
Më 12 korrik 2026, në një intervistë për median serbe “Kurir”, Paunoviq, në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, kishte deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”
Pas kësaj deklarate, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka shpallur Paunoviqin person non grata, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër Kosovë.
