Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në Tregun e Gjelbër, në Mitrovicë, ku një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri
Një dëshmitar ka fajësuar policinë, teksa është shprehur se bëri gabim, se tërhoqi trupin e 27-vjeçarit nga vendi i ngjarjes dhe e çoi për t’i dhënë ndihmën e parë.
“Gabimin ma të madh e ka bo policia në atë moment kur kufomën e kan tëreqë prej vendit të ngjarjes edhe te ky rrethi këtu përballë neve e kanë qu gjoja me i jep ndihmën e parë, në atë moment ka ardh edhe ndihma e parë e kanë blloku rrugën policia e prej kerrit të policisë e kan qit masanej në kerr të ambullancës”, ka thënë Isak Brahimi, në një prononcim për ATV.
Ai ka treguar edhe arsyen që çoi në vrasjen e 27 vjeçarit.
“Rasti ka ndodh si një mosmarrëveshje për do fidane për kurgjo hiç qysh thot populli barrën e merr polici se nuk vrahet njeri për kurgjo hiç(…) Ka ndodh veç pse është kapadai me armë të shtetit, i dini shumë raste që kanë ndodh nëpër kazino kush po e vret polici, kush kontrabant polici”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, specialisti i emergjencës, Fetah Spahija, është shprehur se gjendja e të plagosurve është stabile.
“Një i ri 27 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, në qendrën emergjente ka ardhur pa shenja jete me gjithë punën e stafit mjekësorë nuk arriti ti mbijetoj plagëve, gjendja e pacientëve të tjerë është stabile, njëri në repartin e urologjisë tjetri në ortopedi ndërsa personi që dyshohet se ka shtëne me armë zjarri ka pasur një plagë në kokë”, ka deklaruar specialisti i emergjencës, Fetah Spahija, për ATV.
Sipas policisë, nga hetimet e zhvilluara deri më tani njëri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht.
Ndaj të dyshuarit Sh.A., 35 vjeçar, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor, si dhe rrjedha hetimore është duke vazhduar.