Ilir Capuni, deputet i Aleancës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, ka reaguar për debatet e fundit lidhur me ndalimin e hyrjes në Kosovë të disa zyrtarëve malazezë, duke nënvizuar se vendimet e institucioneve të Kosovës duhet të trajtohen si vendime të një shteti sovran.
Në një reagim në Facebook, ai u shpreh se nuk kishte krijuar përshtypjen se ndonjë përfaqësues nga Republika e Kosovës kishte synuar të dëmtonte marrëdhëniet me Malin e Zi.
Të lidhura
None found
“Si përfaqësues i Aleancës Shqiptare, nuk e kisha përshtypjen se dikush nga Republika e Kosovës donte t’i prishte marrëdhëniet në Mal të Zi. Në të kundërtën, mirëkuptimi im është se organet kompetente të Kosovës kanë vlerësuar se ekzistojnë arsye sigurie për veprim parandalues në raport me personat konkret”, ka shkruar ai.
Sipas Capunit, mund të ketë debat nëse vlerësimi i institucioneve të Kosovës ka qenë i drejtë apo jo, por kjo, sipas tij, mbetet në dorën e autoriteteve të një shteti sovran.
Ai shtoi se Kosova ka vepruar përmes institucioneve të saj dhe brenda juridiksionit që i takon.
“Ndërsa presim që të gjithë të respektojnë vendimet e institucioneve të Malit të Zi, kështu duhet respektuar edhe e drejta e vendeve të tjera për të marrë vendime në përputhje me ligjet e tyre”, ka përfunduar Capuni.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka thënë se pas vendimit për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë kryetarit të Komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, dhe kryetares së Kuvendit Komunal të Beranës, Vidi Ivanoviq, qëndron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas një njoftimi të partisë Nova Srpska Demokratija (NSD), që drejtohet nga Mandiq, ai ka pohuar se edhe deputetët e partive shqiptare në Mal të Zi e kanë kuptuar se “dikush dëshiron të prishë marrëdhëniet ndërmjet politikanëve serbë dhe shqiptarë në Mal të Zi”.
