Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, u takua në Shkup me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski.
Gjatë takimit u diskutua për përshpejtimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve lidhur me projektin strategjik të rrugës Prizren–Tetovë dhe tunelin që do të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Basha bëri të ditur se projekti ka hyrë tashmë në proces dhe se ekipet teknike të të dyja shteteve po punojnë së bashku për hartimin e tij. Palët ranë dakord që kjo punë të intensifikohet, në mënyrë që projekti të finalizohet sa më shpejt dhe të vijojnë procedurat për kontraktimin dhe realizimin e tij.
Sipas Bashës, ndërtimi i tunelit do të ndikojë ndjeshëm në shkurtimin e distancës mes Prizrenit dhe Tetovës, ndërsa njëkohësisht do të shërbejë si korridor i ri ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Rëndësi iu kushtua edhe zhvillimit të projekteve të tjera infrastrukturore, mes tyre autostrada Prishtinë–Shkup, rikthimi i komunikacionit hekurudhor dhe funksionalizimi i stacionit të përbashkët hekurudhor kufitar “One Stop Shop”.
Ministri në detyrë theksoi se forcimi i rrjetit rrugor dhe hekurudhor do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave, si dhe do t’u mundësojë bizneseve të dy vendeve më shumë hapësirë për tregti, investime dhe rritje ekonomike.
Basha shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe vullnetin për bashkëpunim të ministrit Nikoloski dhe zëvendësministres Kaltrina Zekolli-Shaqiri. Ai nënvizoi se synimi i përbashkët është që projektet e diskutuara prej kohësh të mos mbeten vetëm në nivel planesh, por të konkretizohen.
