Bajrami kritikon rishikimin e buxhetit: Deri më 30 qershor, mbi 60% e projekteve kapitale kishin 0% realizim

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka kundërshtuar mënyrën se si Qeveria po e zhvillon procesin e rishikimit të buxhetit për vitin 2026.

Të lidhura

None found

Për të argumentuar domosdoshmërinë e një rishikimi të mirëfilltë, ajo u është referuar të dhënave të Ministrisë së Financave. Sipas Bajramit, raporti gjashtëmujor për shpenzimet buxhetore pasqyron se, deri më 30 qershor, mbi 60% e projekteve kapitale kishin realizim në nivelin 0%.

Deputetja ka bërë të ditur se sot, shumica e komisioneve parlamentare kishin për shqyrtim në rendin e ditës Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.

Ajo ka theksuar se emërtimi i këtij procesi nga Qeveria si rishikim buxhetor nuk përputhet me mundësitë që u janë dhënë organizatave buxhetore. Sipas saj, vetëm Ministria e Financave ka pasur mundësi të rishikojë buxhetin e vet, ndërsa organizatat e tjera buxhetore nuk e kanë pasur këtë mundësi.

Bajrami ka deklaruar gjithashtu se gjatë gjashtë vjetëve të qëndrimit në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kryer asnjë rishikim të mirëfilltë të buxhetit. Ajo ka nënvizuar se vetë raportet e Ministrisë së Financave e dëshmojnë nevojën për një proces të tillë.


Shtuar më 13.10.2026 19:26