Arrihet marrëveshja: Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë më 15-euroshin për të kaluar në Mal të Zi

Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë më sigurimin kufitar kur të udhëtojnë në Malin e Zi.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Byrosë së Sigurimeve, Sami Mazreku në një intervistë për Ekonomia Online ku bëri me dije se marrëveshja për heqjen e 15 eurove si taksë do të nënshkruhet më 25 qershor në orën 14:00.

“Përpara është diskutuar shumë dhe është diçka që nuk ka ndodhur, në muajin e tretë të mandatit si drejtor kemi arritur t’i finalizojmë të gjitha komentet dhe më datën 25 qershor në orën 14:00 nënshkruhet kjo marrëveshje dhe kjo do të hyjë në fund nga data 1 korrik, mirëpo që aspekti teknik na ka vonuar pak. Qytetarët e Kosovës që shkojnë në Mal të Zi nuk kanë nevojë të paguajnë sigurimin kufitar dhe sigurimi që marrin për Serbi dhe Maqedoninë të vlejë edhe për Malin e Zi”, tha ai.

Në lidhje me vendimin e djeshëm të qeverisë Kurti, Mazreku u shpreh se ky është një vendim që i paraprim marrëveshjes.

“Është një vendim që i paraprin një marrëveshjeje, e cila do të nënshkruhet nesër me ministrin e Financave, Bankës Qendrore, neve si Byro dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për byronë është njëjtë, vetëm se është një proces më ndryshe. Nuk e shohim problem” tha ai.


Shtuar 23.06.2021 12:40