Arrestohet polici në Kosovë, dyshohet se keqtrajtoi një qytetar që nuk respektoi masat anti-COVID

Një polic është arrestuar në Kosovë pasi akuzohet se keqtrajtoi një qytetar që s’respektoi masat anti-COVID

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një qytetar që nuk respektoi masat anti-COVID.

Qytetari e kishte njoftuar rastin në stacionin policor në Prishtinë, ndërsa paraprakisht ishte shoqëruar në stacionin policor për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorin kompetent, i cili ka qenë në vend të ngjarjes, hetuesit e IPK’së kanë arrestuar një zyrtar policor (punonjës në stacionin policor “Qendra”) që ishte i përfshirë në këtë incident.

“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Edhe qytetarit të shoqëruar në stacionin e policisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Hetuesit e IPK’së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.


Shtuar 10.04.2021 22:33