Janë bërë 24 vjet nga masakra që u bë në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.
Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ranë dëshmorë 21 persona në fshatin Rogovë të Hasit, të cilët ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shumë civilë të fshatit.
Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.
Po ashtu, në këtë data, kujtohen edhe nëntë të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të komunës së Gjakovës.
Në Kosovë, në vitet 1998 – 1999 ndodhën tetë masakra.
Në vitin 1998 ndodhi masakra e Prekazit (Jasharëve), duke vazhduar më pas në vitin 1999 me masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, e Rezallës, e Dubravës, masakrën e Krushës së Madhe në Rahovec, masakrën e Rugovës të Hasit, si dhe masakrën e Studimes në Vushtrri.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.
Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve./albeu.com/