Qendra për Menaxhim me Kriza bëri të ditur se deri në orën 13:00 janë evidentuar gjithsej 13 zjarre në vend. Prej tyre, pesë janë ende aktive, gjashtë janë vënë nën kontroll, ndërsa dy janë shuar.
Të lidhura
None found
Vatrat aktive ndodhen mes fshatrave Graçan dhe Nigishtani në Komunën e Gjorçe Petrovit, ku zjarri po përhapet edhe drejt territorit të Kosovës, pranë fshatit Belicë në Komunën e Makedonski Brodit, në afërsi të fshatit Podgorcë në Komunën e Strugës, në vendbanimin Bedinje në Kumanovë dhe në lokalitetin Çavkarnik mbi Mavrovë, në Komunën e Mavrovës-Rostushës.
Nën kontroll janë vatrat ndërmjet fshatrave Burinec, Lokov dhe Selci në Komunën e Strugës, pranë fshatit Breznicë në Komunën e Makedonski Brodit, në zonën e fshatit Kopanicë në Komunën e Sarajit dhe afër lokalitetit Ramno në Komunën e Çuçer-Sandevës. Në këtë kategori përfshihen edhe zjarret në deponitë e Kratovës dhe Dellçevës.
Dy vatra të tjera, pranë fshatit Cërveni Bregovi në Komunën e Negotinës dhe në rrugën “Pero Nakov” në Komunën e Gazi Babës, janë shuar.
