Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Shtetit, ka çmuar angazhimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese në trajtimin e rastit për krimet e luftës në lagjen e Jasharëve, në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt.
Të lidhura
None found
Ai ka bërë të ditur se institucionet janë përfshirë në secilën etapë të procedurës penale, duke nisur nga hetimet fillestare e deri te ngritja e aktakuzës kundër 35 personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në krime lufte.
Sipas Gashit, ky konsiderohet ndër rastet më të rënda dhe më të ndjeshme që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në komunikatën për media theksohet se nxjerrja para përgjegjësisë e urdhërdhënësve dhe kryerësve të këtyre krimeve ka qenë dhe vazhdon të jetë mision i institucionit të Prokurorit të Shtetit, me synimin për të zbardhur të vërtetën dhe për të vendosur drejtësinë.
Kryeprokurori ka vlerësuar gjithashtu se puna e organeve të drejtësisë dhe e institucioneve të zbatimit të ligjit për këtë çështje përbën një hap me rëndësi në trajtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
