Aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln u ankorua të mërkurën në portin Laem Chabang të Tajlandës, ku pamja e saj tërhoqi vëmendjen për shkak të ndryshkut të dukshëm në të gjithë trupin e anijes. Gjurmët shihen përgjatë vijës së ujit, nga pjesa e përparme deri në skajet e saj.
Të lidhura
None found
Me një gjatësi prej rreth 335 metrash, anija luftarake ka kaluar afërsisht 286 ditë në det që nga largimi nga porti bazë në San Diego, në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë këtij dislokimi, ajo ka qenë e përfshirë për muaj të tërë në operacione luftarake dhe bllokada në Lindjen e Mesme, në kuadër të operacioneve ndaj Iranit.
Ekspertët e Marinës amerikane vlerësojnë se një gjendje e tillë nuk është domosdoshmërisht e pazakontë për një anije që ka qëndruar për një periudhë kaq të gjatë në det.
Carl Schuster, ish-kapiten i Marinës amerikane dhe pjesëtar në tre raste i ekuipazheve të aeroplanmbajtëseve të klasës Nimitz, ku përfshihet edhe Lincoln, shpjegon se ndryshku përgjatë vijës së ujit mund të shfaqet pas një periudhe të gjatë operacionesh.
Ai thotë se pas më shumë se 60 ditësh aktivitetesh të pandërprera në det, prania e ndryshkut në pjesë të ndryshme të anijes është e pritshme.
Trajtimi i plotë i problemit nuk mund të kryhet gjatë operacioneve në det, sidomos kur aeroplanmbajtësja është e angazhuar në misione luftarake.
Për restaurimin e pjesës pranë vijës së ujit, ekipet duhet të zbresin në zonat e poshtme të anijes, të pastrojnë sipërfaqet e dëmtuara, të aplikojnë dy shtresa primeri kundër ndryshkut dhe më pas dy shtresa të bojës gri që përdor Marina amerikane.
Duke u bazuar në gjendjen e dukshme të USS Abraham Lincoln, Schuster vlerëson se për heqjen e plotë të ndryshkut mund të kërkohen rreth 30 ditë punë mirëmbajtjeje.
Megjithatë, gjatë qëndrimit rreth shtatëditor në Tajlandë, ndërhyrjet pritet të kufizohen te punët më urgjente. Vëmendja kryesore do t’u kushtohet pjesës së përparme dhe zonave pranë vijës së ujit, të cilat përballen më shumë me ujin e kripur dhe dallgët.
Anija është vendosur në portin Laem Chabang, në Gjirin e Tajlandës, në jug të Bangkokut. Qëndrimi i saj do të zgjasë disa ditë dhe do t’u mundësojë pjesëtarëve të ekuipazhit pushimin e parë të plotë pas një dislokimi jashtëzakonisht të gjatë.
Gjatë këtij misioni janë raportuar edhe probleme të tjera, përveç ndryshkut. Dislokimi është shoqëruar me shqetësime për moralin e ekuipazhit, mungesa furnizimesh dhe të paktën një rast kur një anëtar i ekuipazhit ka rënë në det.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka hedhur më herët poshtë shqetësimet lidhur me kohëzgjatjen e misionit, duke deklaruar se dislokimi i Lincoln nuk kishte qenë “aspak aq i gjatë”.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse ndryshku mund të pritet pas një qëndrimi të zgjatur në det, ai nuk duhet lënë pas dore.
“Ndryshku është si një sëmundje ngjitëse. Ai përhapet”, shprehet Schuster, duke nënvizuar se ndërhyrja në fazat e para është e domosdoshme për të parandaluar dëme më të mëdha në të ardhmen.
Nëse nuk trajtohet, ndryshku mund të dobësojë strukturat prej çeliku dhe të dëmtojë pjesë të rëndësishme të anijes, përfshirë kuvertat, kalimet dhe strukturat mbrojtëse.
Mirëmbajtja kundër ndryshkut nuk konsiderohet ndër detyrat më të pëlqyera nga marinarët. Sipas Schuster, “lufta kundër ndryshkut” renditet ndër dy aktivitetet më të papëlqyera në Marinën amerikane, krahas punëve që lidhen me sistemet hidraulike.
