Gjatë seancës së sotme, Prokuroria paraqiti të dhëna të marra nga telefoni i Gjoko Ristovit, ish-gjyqtarit të Apelit, i cili dyshohet se ka fshehur 350 mijë euro brenda murit të shtëpisë së prindërve të tij në Negotinë. Prokurorja Iskra Haxhiasilevska deklaroi se Ristov kishte komunikuar me persona që kishin çështje aktive para tij, ndërsa në raste të tjera ishte interesuar për procedura që ndiqeshin nga kolegë të tij.
Të lidhura
None found
Mes personave me të cilët Ristov ka pasur komunikime është Ismet Guri, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, i dënuar për shkatërrim të materialit zgjedhor dhe i përfshirë më pas në hetimin e korrikut të vitit 2024 për shoqërim kriminal. Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se ai ka komunikuar edhe me Bojan Jovanovskin, i njohur si Boki 13, i dënuar në rastin “Reket”.
Në disa prej mesazheve të lexuara në gjykatë, Ristov interesohet për një çështje që ndodhej te gjyqtari Enver Bexheti, i cili së fundmi u përfshi në listën e zezë amerikane për korrupsion. Ristov i thotë atij se kishte pyetur një kolege nga administrata, pasi ajo kishte lidhje familjare me të, konkretisht i kishte vëlla. Në një tjetër mesazh, një person i paidentifikuar e pyet Ristovin për një lëndë që ndodhej te një gjyqtare me emrin Bukurie. Ristov përgjigjet se ajo ishte me pushime dhe se do ta shqyrtonte çështjen pas kthimit të saj.
Prokuroria paraqiti edhe regjistrin e kontakteve të ruajtura në telefonin e Ristovit, duke sqaruar se me këta persona nuk kishte komunikime, por vetëm numrat e tyre të regjistruar. Në listë figuron Vice, vëllai i ish-kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, si dhe Ana, bashkëshortja e biznesmenit Orce Kamçev. Aty përfshihen edhe deputeti i BDI-së dhe pronari i Pucko Petroll, Ismail Jahoski, djali i tij Asmir Jahoski, biznesmeni Zoran Azmanov dhe ish-deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Po në këtë listë janë edhe Fehmi Stafa dhe Lupço Pecov, i njohur si djalli. Stafa u dënua me 15 muaj burg pasi kishte marrë 50 mijë euro nga një familjar i “djallit”, me qëllim korruptimin e gjyqtarit Ristov dhe shfuqizimin e paraburgimit në lëndën “Zinxhir”.
Sipas prokurores Iskra Haxhivasileva, Ristov nuk duhej të kishte kontakte të tilla në cilësinë e gjyqtarit, veçanërisht pasi ndaj disa prej personave në fjalë kishte procedura aktive.
“Sipas vlerësimeve tona, kontaktet dhe komunikimet e gjyqtarit të Apelit me persona ndaj të cilëve, siç e patë edhe vetë, janë zhvilluar dhe zhvillohen lëndë aktive dhe procedura, janë të palejueshme”, tha Iskra Haxhivasileva, Prokurore.
Mbrojtja, nga ana tjetër, argumenton se ruajtja e kontakteve telefonike nuk përbën shkelje në mungesë të provave që dëshmojnë kryerjen e një krimi.
“Po, këta persona kanë qenë në telefonin e tij. Kanë qenë. Maqedonia është shtet i vogël, por nëse pretendohet se nuk duhej t’i kishte në telefon ose se kjo është e dyshimtë, duhet të paraqiten prova se çfarë ka bërë ai me këta persona”, deklaroi Zvonko Davidoviq, Avokat i Gjoko Ristov.
Në seancën e sotme dëshmoi edhe eksperti që ka analizuar të ardhurat financiare të Ristovit dhe familjarëve të tij. Prokuroria vlerëson se të ardhurat e ish-gjyqtarit nuk mjaftojnë për të shpjeguar origjinën e 350 mijë eurove të gjetura të fshehura në mur. Mbrojtja kundërshton këtë qëndrim, duke thënë se Ristov dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar 617 mijë euro nga viti 2016 deri në vitin 2024, ndërsa prindërit e tij kanë pasur të ardhura prej 917 mijë eurosh. Një pjesë e këtyre parave është përdorur për blerjen e banesave, ndërsa për pjesën e mbetur pritet të japë sqarime ekspertiza e kërkuar nga mbrojtja. /Alsat/
