Janë publikuar detaje të tjera dhe pamjet e kamerave të sigurisë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e sotme, më 3 shtator, në Orikum. Pronari i një resorti në bregdet denoncoi se ishte kanosur nga persona të armatosur, ndërsa regjistrimet e sekuestruara nga Policia e Shtetit dokumentojnë çastin kur të paktën 8 automjete mbërrijnë me shpejtësi dhe rrethojnë zonën përpara hyrjes së biznesit.
Rreth orës 10:30 të mëngjesit, kamerat kanë filmuar automjetet teksa bllokojnë rrugën kryesore dhe parkimin e kompleksit. Nga makinat dalin disa persona të veshur me të zeza, të cilët lëvizin me shpejtësi drejt hyrjes së resortit për të kërcënuar pronarin.
Të lidhura
None found
Pas njoftimit të menjëhershëm nga i dëmtuari, policia ndërhyri me urgjencë, duke bllokuar nyjet kryesore dhe duke vendosur pika kontrolli në disa akse rrugore të Vlorës. Gjatë kontrollit të zonës, pranë Pusit të Mezinit, efektivët konstatuan një prej automjeteve të dyshuara, i cili po lëvizte me shpejtësi marramendëse për t’iu shmangur arrestimit, dhe nisën ndjekjen.
Në përpjekje për t’u larguar, drejtuesi humbi kontrollin e mjetit dhe u përfshi në një aksident të rëndë. Brenda automjetit të përmbysur, policia gjeti tre persona dhe një armë zjarri të llojit pistoletë. Dy nga të dyshuarit u dëmtuan nga përplasja dhe po trajtohen nga mjekët nën ruajtje policore, kurse personi i tretë nuk pësoi lëndime.
Nën drejtimin e Prokurorisë është krijuar një grup i posaçëm hetimor. Hetuesit po shqyrtojnë regjistrimet e kamerave të sigurisë dhe provat e siguruara në terren, me qëllim sqarimin e plotë të motiveve të ngjarjes, si edhe identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në rrethimin e resortit.
