Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia, i ka kërkuar SPAK-ut të nisë hetimet ndaj Edi Ramës pas përplasjes së tij me Erion Veliajn. Reagimi erdhi pas pretendimit të Veliajt se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e kishte kërcënuar në qelinë e burgut me urdhër të Ramës.
Për Shehajn, zhvillimet brenda Partisë Socialiste tregojnë një konflikt të rëndë, ku të korruptuarit po asgjësojnë njëri-tjetrin. Ai e cilësoi deklaratën e bërë sot nga Veliaj si shpërthyese, duke iu referuar akuzës së tij se kërcënimi nga Edi Rama i ishte përcjellë në burg përmes ministrit të Drejtësisë.
Të lidhura
None found
Sipas kreut të Partisë Mundësia, Veliaj ka pranuar gjithashtu se, deri dje, Rama ishte kujdesur si për kushtet e tij në burg, ashtu edhe për miqtë e familjarët e tij. Shehaj tha se, nga sot e tutje, ky kujdes i është mohuar përmes kërcënimit se do të lihet të kalbet në burg nëse nuk hesht dhe nuk pranon kushtet e Edi Ramës.
Duke kërkuar vënien nën hetim të Ramës, Shehaj ngriti pyetjen se çfarë tjetër duhet të ndodhë që SPAK-u të ndërmarrë këtë hap. Sipas tij, rrëfimi i Veliajt e bën të qartë se në krye të asaj që ai e quan organizatë kriminale ndodhet vetë Edi Rama.
Shehaj pretendoi se Rama kujdeset për anëtarët e kësaj bande që kanë përfunduar në burg ose përpara drejtësisë, por njëkohësisht i kërcënon kur ndonjëri prej tyre guxon ta kundërshtojë.
Në vlerësimin e tij, regjimi që ai e cilëson kriminal po rrëzohet dhe po shpërbëhet nga brenda. Shehaj theksoi se tashmë i takon SPAK-ut të dëshmojë se nuk ka vija të kuqe dhe se askush nuk gëzon paprekshmëri apo qëndron mbi ligjin, përfshirë Edi Ramën.







