Ismail Dibrani, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, po merr pjesë në Konferencën Rajonale “Krimi i Organizuar në Burgje”, që zhvillohet më 2 dhe 3 shtator 2026 në Shkup.
Veprimtaria mban temën “Forcimi i integritetit, inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore” dhe organizohet nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut.
Të lidhura
None found
Pjesë e konferencës janë drejtues dhe përfaqësues të institucioneve korrektuese, strukturave të sigurisë, policisë, prokurorisë, gjyqësorit dhe institucioneve që merren me luftimin e krimit në vendet e Evropës Juglindore. Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare të sektorit korrektues, mes tyre ICPA dhe EuroPris, si dhe përfaqësues të institucioneve korrektuese nga shtete të ndryshme evropiane.
Diskutimet janë përqendruar te kërcënimet që sjell krimi i organizuar brenda institucioneve korrektuese, masat për parandalimin dhe trajtimin e aktiviteteve kriminale, rritja e integritetit institucional dhe roli i inteligjencës dhe shkëmbimit të informacionit mes institucioneve homologe.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës i është kushtuar bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe hartimit të mekanizmave të përbashkët për parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve të sigurisë që lidhen me krimin e organizuar në burgje.
“Pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm, z. Ismail Dibrani, përbëri një mundësi të rëndësishme për Shërbimin Korrektues të Kosovës për të ndarë përvojat dhe praktikat e tij me institucionet homologe të rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe për t’u njohur me qasjet dhe praktikat e vendeve të tjera evropiane në adresimin e sfidave të sigurisë në sistemet korrektuese”, thuhet në njoftim.
Konferenca synon gjithashtu të shërbejë si një hapësirë për thellimin e marrëdhënieve mes institucioneve korrektuese të rajonit dhe Evropës, vendosjen e kontakteve të reja profesionale dhe përcaktimin e mundësive për bashkëpunim të ardhshëm në siguri, inteligjencë, integritet institucional dhe parandalimin e krimit të organizuar në sistemet korrektuese.
