Refuzimi i një marrëveshjeje politike nga gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka hapur një nga krizat më të rënda të brendshme të kësaj partie në vitet e fundit.
Të lidhura
None found
Deputetët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri nuk e mbështetën marrëveshjen e LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president. Me këtë qëndrim, ata dolën kundër vendimit të Kryesisë së LDK-së.
Përplasja nuk lidhet vetëm me fatin e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka nxjerrë në pah ndarjet e brendshme të LDK-së, ka shtuar rrezikun e zgjedhjeve të reja në Kosovë dhe ka rikthyer dilemën nëse partia mund të dalë e bashkuar nga kjo situatë.
Vëzhguesit politikë nuk japin një përgjigje të prerë nëse konflikti mund të përfundojë me ndarjen formale të LDK-së. Megjithatë, ata pajtohen se dëmi politik ndaj partisë tashmë është shkaktuar.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e përshkroi refuzimin e gjashtë deputetëve si një dëm “të pariparueshëm ndaj gjithë procesit” dhe paralajmëroi se ky zhvillim mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja me LDK-në vazhdon të jetë në fuqi, pavarësisht kundërshtimit të deputetëve.
Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se ndarja në LDK është tashmë e pranishme, edhe pse nuk është shndërruar ende në një ndarje zyrtare.
“LDK-ja tashmë është e ndarë ideologjikisht. Janë evidente dy mënyra të të menduarit politik, të kundërta në aspektin e raportit ndaj përgjegjësisë për trashëgiminë e partisë dhe trajektores së ardhmërisë”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore për këtë gjendje i takon Abdixhikut. Muhaxhiri thotë se, para se të arrinte marrëveshjen me LVV-në, kryetari i LDK-së duhej të konsultohej me deputetët që kishin qëndrime të ndryshme dhe të gjente “modalitete përbashkuese”, në vend që t’i përballte ata me një vendim të marrë tashmë.
Analisti Yll Hoxha e konsideron konfliktin e fundit shenjë të një problemi më të thellë brenda partisë. Ai rikujton se udhëheqja e Abdixhikut është sfiduar dy herë përmes votimit brenda LDK-së në më pak se një vit.
Edhe pse i mbijetoi të dyja përballjeve, Abdixhiku, sipas Hoxhës, nuk arriti ta rikthejë kohezionin e partisë.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, kur LDK-ja mori 13 për qind të votave dhe u rendit e treta, Abdixhiku kërkoi në janar të vitit 2026 votëbesimin e partisë dhe e fitoi atë.
Pozita e tij u vu përsëri në diskutim në korrik, pas kërkesave të një grupi anëtarësh të LDK-së për dorëheqjen e tij. Këto kërkesa pasuan zgjedhjet e 7 qershorit, por edhe në atë rast Abdixhiku e ruajti drejtimin e partisë.
Megjithatë, Hoxha thotë se zhvillimet e fundit dëshmojnë se përplasja nuk është zgjidhur. Ai nuk mendon se vota kundër e gjashtë deputetëve ka të bëjë vetëm me kandidaturën e Bekim Sejdiut, por e sheh atë kryesisht si kundërshtim ndaj lidershipit të LDK-së.
“Unë nuk jam i sigurt që këto përçarje do ta ndajnë LDK-në, por se do ta dëmtojnë, jam gjithsesi i sigurt. Diçka që mund të jetë në interes të LDK-së po mohohet [nga gjashtë deputetët], duke i dhënë primat rivalitetit të brendshëm”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Debati është zhvendosur edhe jashtë strukturave të partisë. Pas dështimit të marrëveshjes, Abdixhiku dhe disa prej deputetëve që e kundërshtuan atë shprehën publikisht qëndrime të kundërta.
Abdixhiku deklaroi se mosmbështetja e kandidaturës së propozuar nga LDK-ja ka përcaktuar edhe “fati i vendit – zgjedhje të reja”.
Ndërsa Avdullah Hoti tha se kandidatura e Sejdiut “nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj”.
Hykmete Bajrami e arsyetoi kundërshtimin e saj me përqendrimin e pushtetit te Albin Kurti.
“Për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”, tha ajo.
Radio Evropa e Lirë tentoi gjatë së mërkurës të kontaktonte gjashtë deputetët për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë që refuzimi ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe për përgjegjësinë që do të duhej të mbahej për një zhvillim të tillë. Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj.
Kriza brenda LDK-së mund të ketë pasoja për të gjithë vendin, veçanërisht për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Për zhvillimin e këtij procesi kërkohet që në votim të marrin pjesë së paku 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Në dy rundet e para duhen 80 vota, ndërsa në rundin e tretë nevojiten 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë. Në rast se presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
LVV-ja përfaqësohet me 53 mandate, kurse LDK-ja me 18.
Megjithatë, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve, Abdixhiku ka thënë se vetëm 12 deputetë të LDK-së janë të gatshëm ta votojnë Sejdiun.
Edhe nëse në këtë numër përfshihen deputetët e komuniteteve joserbe që kanë bashkëpunuar me LVV-në, votat përsëri nuk arrijnë pragun e kërkuar.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të qëndrojë në opozitë dhe nuk do ta mbështesë marrëveshjen me Kurtin. Aleanca, ndërkaq, ka vendosur kushte për mbështetjen e institucioneve.
Abdixhiku ka ashpërsuar edhe më tej kritikat ndaj gjashtë deputetëve. Ai tha se ata që nuk e respektuan vendimin e Kryesisë së LDK-së “nëse asgjë tjetër, do të duhej ta dorëzonin mandatin e deputetit”, edhe pse sqaroi se nuk ua ka kërkuar një veprim të tillë.
Muhaxhiri vlerëson se përgjegjësia për rrezikun e dështimit të procesit nuk mund t’u lihet vetëm gjashtë deputetëve. Sipas tij, në këtë situatë përgjegjësi kanë edhe LVV-ja dhe kryetari i LDK-së.
“Papërgjegjësia e tyre për bërjen publike të një marrëveshjeje të pabazuar në realitet është etapa e fundit e rrugëtimit drejt zgjedhjeve të reja”, thotë Muhaxhiri.
Hoxha e shpërndan përgjegjësinë në të gjithë skenën politike. Ai thotë se ngërçi i tanishëm është pjesë e një vargu krizash politike dhe institucionale me të cilat Kosova është përballur gjatë dy vjetëve të fundit.
“Përgjegjësinë për këtë ngërç dhe për këtë paaftësi të zgjidhjeve e bart e gjithë skena politike, pa përjashtim, në bazë të hierarkisë, në bazë të pushteteve dhe mbështetjeve që kanë”, shprehet ai.
Megjithatë, Hoxha pajtohet se pikërisht përplasja brenda LDK-së mund të bëhet arsyeja që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Nëse zgjedhjet mbahen, LDK-ja do të përballet me një sfidë të dyfishtë: përballjen me partitë rivale dhe menaxhimin e konfliktit të saj të brendshëm.
Hoxha mendon se një proces i ri zgjedhor, i shkaktuar nga pamundësia për të zgjedhur presidentin, do ta dëmtonte të gjithë establishmentin politik. Për LDK-në, dëmi do të ishte edhe më i madh.
“Këtë herë do të jetë e hendikepuar edhe nga narrativi se si hyn në zgjedhje, sepse do të hynte si mjaft fajtore për një proces, të cilin vetë e inicioi. Zgjedhja e Bekim Sejdiut ishte iniciativë e LDK-së. Dështimi i këtij procesi për shkak të përçarjeve të brendshme i jep një barrë të fajit më të theksuar LDK-së”, thotë Hoxha.
Muhaxhiri e kritikon edhe më ashpër mënyrën e menaxhimit të krizës nga Abdixhiku. Sipas tij, “Abdixhiku brutalisht e lëndoi LDK-në, duke u dhuruar argumente të bollshme armiqve politikë për të përfituar nga çarja e krijuar”.
Ai paralajmëron se, në rast të zgjedhjeve dhe nëse Abdixhiku “zgjedh kryeneçësinë” ndaj deputetëve që e kundërshtuan marrëveshjen, LDK-ja mund të shndërrohet në një “parti me elektorat njëshifror”.
“LDK-ja do të ishte gati inekzistente, ka për të pasur ndikim minimal në skenën politike dhe do t’u shërbejë partive tjera për të rritur elektoratin”, thotë Muhaxhiri.
Sipas tij, dobësimi i LDK-së do të ndikonte edhe në ekuilibrat e përgjithshëm politikë në Kosovë.
“Kjo do të ishte zhgënjyese jo vetëm për elektoratin, por do ta dëmtonte edhe spektrin politik në Kosovë, sepse ka qenë pjesë e të gjitha proceseve shtetndërtuese, ka mbajtur dhe mund të mbajë një rol të veçantë në spektrin politik si një balancuese. Por, kjo mbetet në vullnetin e lidershipit të saj, veçanërisht të kryetarit Abdixhiku”, thotë Muhaxhiri.
LDK-ja ka përvojë me një konflikt të brendshëm që ka përfunduar në krijimin e një partie të re.
Muhaxhiri e lidh situatën e sotme me atë që e quan “leksioni nga viti 2006”. Pas vdekjes së liderit historik të LDK-së, Ibrahim Rugova, partia u përfshi në një garë të fortë për udhëheqjen.
Përballja mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit përfundoi në dhjetor të vitit 2006 me zgjedhjen e Sejdiut kryetar të LDK-së.
Kjo, megjithatë, nuk i dha fund konfliktit mes dy kampeve. Daci, tashmë i ndjerë, u largua nga LDK-ja dhe në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Pas pothuajse dy dekadash, mbetet e paqartë nëse përplasja aktuale do ta çojë LDK-në drejt një ndarjeje të re.
Por dilema më urgjente është tashmë e dukshme: si mund t’u kërkojë partia votuesve unitet, nëse nuk arrin ta ndërtojë atë brenda radhëve të veta?!
