Pas marrëveshjes për kandidatin presidencial të Kosovës, partitë politike pritet t’i zhvillojnë sot konsultimet e tyre të brendshme, përpara ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve të televizionit publik, Lëvizja Vetëvendosje do ta mbledhë grupin parlamentar në orët e vona të pasdites. Në këtë takim pritet të shqyrtohen veprimet që duhet të ndërmerren pas marrëveshjes së arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Synimi i procesit është përmbyllja e konstituimit të institucioneve dhe zgjidhja e bllokadës politike.
Konsultime gjatë ditës do të mbajë edhe LDK-ja. Kryesia e partisë do të mblidhet në orën 14:00, ndërsa grupi parlamentar do të zhvillojë takimin e tij në orën 16:00, ku do të diskutohet marrëveshja dhe qëndrimet e ardhshme.
Dakordimi për kandidaturën e Bekim Sejdiut, i arritur pas javësh negociatash, konsiderohet një hap që mund të mundësojë funksionalizimin e institucioneve.
Përveç marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje kishte tentuar që në këtë proces të përfshinte edhe partitë e tjera politike.
PDK-ja, megjithatë, ka këmbëngulur se do të mbetet në opozitë, ndërsa AAK-ja ka refuzuar pjesëmarrjen në takime pa u përmbushur 6 kushtet e saj.
