Këshilltarët shqiptarë të VLEN-it dhe AKI-së në Komunën e Butelit u larguan nga seanca e sotme komunale, në të cilën, ndër të tjera, u trajtua edhe mbyllja e paraleles në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, përcjell TV21. Armend Murseli, këshilltar i AKI-së, deklaroi mes të tjerash se kryetari e ka vendosur të mos e zbatojë ligjin.
Të lidhura
None found
Sipas këshilltarëve, ekziston bazë ligjore që fëmijët që banojnë pranë kësaj shkolle të regjistrohen në të, edhe pse adresat e tyre i përkasin Komunës së Çairit. Ata hodhën poshtë në mënyrë kategorike pretendimet se këshilltarët shqiptarë kanë votuar për mbylljen e paraleleve në këtë komunë.
Albesa Ramani nga VLEN theksoi se këshilltarët shqiptarë nuk kanë mbështetur asnjëherë dhe as nuk do të përkrahin mbylljen e ndonjë paraleleje. Ajo shtoi se po koordinohen me zëvendësministrin e Arsimit për të arritur te një zgjidhje.
Linkest Lumani nga AKI bëri të ditur se, pas debatit, këshilltarët hartuan një propozim që duhej të përfshihej në rendin e ditës dhe të hidhej në votim, me qëllim që paralelja në “Penko” të mos mbyllej dhe mësimi të vazhdonte. Sipas tij, përgjigjja ishte e prerë se paralelja nuk mund të vazhdonte dhe se çështja konsiderohej fakt i kryer. Propozimi më pas u votua, por këshilltarët shqiptarë u mbivotuan dhe pika nuk arriti të bëhej pjesë e rendit të ditës.
https://www.facebook.com/reel/1070876299005345
