Një operacion i përmasave të mëdha ka nisur në Mesdhe pas përmbysjes së një anijeje pasagjerësh, e cila po lundronte nga Qiproja e Veriut për në Turqi.
Të lidhura
None found
Mediat turko-qipriote raportojnë se në mjetin lundrues ndodheshin rreth 300 persona. Anija ishte nisur nga Kyrenia me destinacion portin turk të Taşucusë, por gjatë udhëtimit filloi të mbushej me ujë.
Erhan Arıklı, ministër i Punëve Publike i Republikës Turke të Qipros së Veriut, konfirmoi për televizionin shtetëror turk se anija ishte përmbysur. Sipas tij, operacioni po përqendrohet te evakuimi i rreth 260 pasagjerëve.
“Fatkeqësisht, anija tani është përmbysur. Puna vijon për evakuimin e rreth 260 pasagjerëve”, deklaroi Arıklı.
Në përpjekjet e shpëtimit po marrin pjesë mjete të Rojës Bregdetare, helikopterë dhe varka civile që gjendeshin pranë zonës. Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes dallohet të paktën një helikopter duke qëndruar mbi anijen e përmbysur.
Ministri bëri të ditur se kushtet në det janë të vështira, duke shtuar: “Deti është mjaft i trazuar. Prioriteti ynë është t’i sjellim pasagjerët në tokë pa humbje jete”.
Të dhënat e gjurmimit tregojnë se anija ishte lokalizuar në veri të Kyrenias mëngjesin e së dielës, përpara se sinjali që përcaktonte pozicionin e saj të humbiste.
Për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve, drejt zonës së incidentit duket se është nisur edhe një traget tjetër. Më vonë, ai është parë duke u afruar në portin e Kyrenias.
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga Kyrenia kanë shfaqur persona duke mbërritur në port, ndërsa dëgjoheshin sirena ambulancash. Në zonën portuale janë parë gjithashtu disa ambulanca të vendosura në rresht.
Video të shpërndara në rrjetet sociale, për të cilat pretendohet se janë regjistruar në vendngjarje, tregojnë anijen të anuar në njërën anë mes dallgëve. Ekipet e shpëtimit shihen duke nxjerrë nga uji disa persona të pajisur me jelekë shpëtimi, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në det.
