Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim për rezultatet e pranimit në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të publikuara nga ASH, nga 310 nxënësit e pranuar, vetëm 9 janë shqiptarë, ose më pak se 3 për qind. Partia ka theksuar gjithashtu se procesi mësimor në shkollë zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
ASH ka kërkuar transparencë të plotë për konkursin, duke kërkuar të bëhet i ditur numri i kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, kriteret e vlerësimit dhe shkaqet që kanë çuar në këtë rezultat.
“Kjo është shkolla ku përgatiten kuadrot e ardhshme të policisë, ndërsa të diplomuarve u garantohet punësimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për këtë arsye, përbërja aktuale e saj do të ndikojë drejtpërdrejt në përbërjen e policisë gjatë viteve të ardhshme. Duke pasur parasysh edhe faktin se mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, kërkojmë transparencë të plotë për konkursin, numrin e aplikantëve shqiptarë, mënyrën e vlerësimit dhe arsyet që kanë sjellë deri te një rezultat kaq skandaloz”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
