Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë mund të hapë rrugën për zhvillime të reja lidhur me luftën në Ukrainë.
Të lidhura
None found
Ratcliffe zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Rusi të martën. Kremlini bëri të ditur më vonë se kreu i CIA-s u takua me zyrtarë të shërbimeve ruse të inteligjencës, ndërsa nuk pati një takim me presidentin Vladimir Putin. Megjithatë, Putini u vu në dijeni për rezultatet e bisedimeve.
Kur u pyet për qëllimin e udhëtimit, Trump tha se administrata amerikane po punon me intensitet për t’i dhënë fund konfliktit. “Ne do të donim të shihnim fundin e luftës në Ukrainë”, u shpreh ai, duke e përshkruar Ratcliffe si një “djalë fantastik”.
“Diçka mund të dalë nga kjo”, shtoi presidenti amerikan, pa zbuluar detaje rreth temave të diskutuara gjatë takimeve.
Detajet e bisedimeve nuk janë bërë publike. Vizita u zhvillua në një periudhë kur përpjekjet për përfundimin e luftës në Ukrainë përballen me vështirësi, ndërsa raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbeten në krizë.
