Trajneri i Skënderbeut, Juljan Ahmataj, nuk e ka lënë pas barazimin 1-1 ndaj Vllaznisë, në takimin e javës së 10-të të Abissnet Superiore, të zhvilluar në Korçë. Sipas tij, skuadra korçare kishte mundësinë të dyfishonte rezultatin gjatë fraksionit të parë, por mungesa e konkretizimit i kushtoi fitoren.
“Më vjen keq për mënyrën si e menaxhuam pjesën e parë. Dy pjesët nuk ishin të njëjta, pasi në 45 minutat e para kishim mundësi të shënonim edhe golin e dytë. Në futboll, kur nuk shfrytëzon rastet, ndëshkohesh.
Të lidhura
None found
Vllaznia pati vetëm një goditje, pas një krosimi në zonë, dhe arriti të shënonte. Ky është pendimi im më i madh, sepse ndeshjen mund ta kishim zgjidhur që në pjesën e parë, por nuk u treguam të përgatitur në atë moment.
Ne e kishim parashikuar këtë mënyrë loje që në minutat e para. Megjithatë, në pjesën e dytë u shfaq edhe presioni i rezultatit, pasi pasi kishim kaluar në avantazh duhej ta mbronim atë. Ky presion ndihet veçanërisht në ndeshjet që zhvillohen në fushën tonë.
Me katër sulmues në fushë, synonim ta mbanim kundërshtarin të tërhequr dhe të shtynim më shumë përpara edhe në pjesën e dytë. Por rezultati na detyroi të vendoseshim në bllokun e mesëm dhe të qëndronim aty në momentet e duhura.
Krijuam disa situata tranzicioni që duhet t’i kishim shfrytëzuar më mirë. Kur skuadra tërhiqej në bllokun e ulët, rritej presioni për ta ruajtur avantazhin. Edhe kur kishim topin dhe duhej ta qarkullonim, shpesh nxitoheshim të luanim përpara, edhe në raste kur nuk ekzistonte një aksion i qartë për të arritur te goditja.
Pasimet përpara nuk ishin gjithmonë të sakta dhe kjo lidhet me presionin që krijon rezultati. Dëshira për të gjetur shpejt golin e dytë dhe për ta mbyllur ndeshjen na bëri të mos e menaxhonim siç duhet ndërtimin e aksioneve. E kemi përgatitur këtë pjesë, e zbatojmë në lojë dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë gjatë gjithë kohës.
Kur kundërshtari ushtron presing, lë hapësira pas shpinës së tij. Për këtë arsye, një aksion i ndërtuar mirë mund të na çojë në pozicion shënimi.
Goli i pësuar erdhi nga një krosim dhe kjo është hera e parë që ndëshkohemi në këtë mënyrë, pas krosimeve apo goditjeve standarde të larta nga krahët. Ne kemi lojtarë shumë të fortë në krahë, ndërsa në këtë ndeshje mungoi Shaqe, i cili është i aftë në lojën ajrore. Për këtë arsye u aktivizua Lleshi, një lojtar i ri që ende nuk e ka eksperiencën e nevojshme për ta zgjidhur një situatë të tillë në fund të ndeshjes. Në këtë ndikuan edhe lodhja dhe faktorë të tjerë.
Ky ishte shkaku që pësuam golin e parë në një situatë të tillë, pasi deri para kësaj ndeshjeje nuk kishim pësuar nga krosimet apo goditjet standarde të larta nga krahët. Skënderbeu është formuar gjatë verës dhe ka shumë prurje nga jashtë, ndaj skuadrës i duhet kohë për t’u ambientuar dhe për të krijuar automatizmat e duhura të lojës.
Në futboll këto procese nuk mund të përfundojnë brenda një kohe kaq të shkurtër. Ne kemi aftësi dhe material për të ndërtuar përpara, krijojmë raste, por duhet të përmirësojmë detajet, të cilat në futboll janë të shumta dhe vendimtare.”






